Futboll

Vera e çuditshme e Hysajt, nga jashtë liste në titullar te Napoli

Katër gola pësoi Napoli në ndeshjen me Barcelonën në Amerikë, ku dy skuadrat janë të impenjuara për edicionin e parë të trofeut "Liga-Serie A Cup". Një paraqitje shumë e dobët e skuadrës së trajnerit Karlo Ançeloti, që nuk mundi të gjuante asnjëherë në portë, ndërkohë që Suarez dy herë, Grizman dhe Dembele përfituan nga dobësitë në mbrojtje të Napolit.

Në prapavijën e kësaj skuadre vazhdon të ketë një fanellë titullari mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili po përjeton një verë vërtet të çuditshme. Mbrojtësi i krahut të djathtë është aktivizuar rregullisht në ndeshjet miqësore nga trajneri Ançeloti, luajti edhe dje nga minuta e parë ndaj Barcelonës, për t’u zëvendësuar pas 62 minuta nga Di Lorenco, i blerë në merkato nga Empoli pikërisht për të zëvendësuar shkodranin. Ditët po kalojnë dhe Hysaj vazhdon të jetë pjesë e Napolit, pavarësisht se në fillim të merkatos së verës u nxor jashtë planeve të stafit teknik dhe ishte ndër të parët lojtarë në listën e shitjeve.

Hysaj gjatë miqësores së fundit me Barcelonën. Gazeta Si, 11 gusht 2019

Gjatë gjithë kësaj kohe, emri i mbrojtësit kuqezi ka qenë shumë i lakuar në lajmet e merkatos verore. Është folur deri tani për oferta të ndryshme nga skuadra të tjera të Serisë A, nga Spanja dhe Anglia, por që më pas kanë rënë poshtë një e nga një. U fol shumë për një interesim serioz të Atletiko Madrid, që në fund firmosi me mbrojtësin e djathtë të Totenhemit, Triper. Kjo lëvizje bëri që të aludohej për kalimin e mundshëm të Hysajt pikërisht te Totenhemi, por në fakt asgjë nuk ndodhi. Presidenti i Napolit, De Laurentis, i uli pretendimet për Hysajn, por jo aq sa për t’i bindur klubet e interesuara për ta blerë shqiptarin. Klauzola prej 50 milionë eurosh që shkodrani kishte më parë në kontratën me Napolin, ka rënë poshtë prej kohësh, por klubi italian nuk po arrin të marrë as gjysmën e kësaj shifre për mbrojtësin.

Zërat e merkatos sigurisht që kanë ndikuar edhe në formën e Hysajt, i cili, edhe pse po luan në ndeshjet miqësore, ka qenë nga më të dobëtit në fushë për Napolin. Lehtësisht i driblueshëm nga Suarez me shokë në ndeshjen ndaj Barcelonës. Ndoshta futbollisti kuqezi do të mbetet te Napoli, sepse pistat e merkatos janë zbehur së tepërmi. Në momentin që trajneri Mauricio Sarri mori drejtimin e Juventusit, kishte zëra se edhe Hysaj mund të vishej bardhezi, por ishte vetëm nj hipotezë për shkak të simpatisë që trajneri italian ka pasur për shqiptarin. Jo pak është folur edhe për kalimin e mundshëm te Roma, madje trajneri Fonseka e ka thënë hapur se e do Hysajn në ekip, por duket se edhe kjo pistë mbeti pezull për shkak të termave financiarë. Largimi i shkodranit nga Napoli dukej më i sigurt se kurrë, por ai vazhdon të jetë pjesë e kësaj skuadre, madje titullar, ndaj dhe shanset më të mëdha janë që edhe sezonin e ri të mbetet në urdhrat e trajnerit Ançeloti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë