Kosova

Vendimi për dinarin / Borrell do takojë ndaras Kurtin dhe Vuçiçin në Munih

Nga Gazeta 'Si'-Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se në Munih do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut nuk është në agjendë.

Kurti dhe Vuçiçi janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, që nis punimet më 16 shkurt.

"Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë takimin Kurti-Vuçiç diku tjetër”, tha Borrelli në Munih.

Zyrtari i lartë evropian do të takohet me Kurtin të premten, ndërkaq një ditë më vonë do të zhvillojë takim me Vuçiçin.

Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiçit në Munih po ndodh në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Bashkimi Europian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë