Futboll

Vendimet e Asamblesë, FSHF gllabëron edhe të drejtën televizive

Herët në mëngjes çeli punimet Asambleja e zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit për vitin 2019-të. Nuk kishte mungesa të rëndësishme nga klubet dhe anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, që në qetësi dhe në rresht dëgjuan fjalimet e zyrtarëve të qeverisë së futbollit shqiptar. Presidenti Armand Duka i pari dhe gjithë të tjerët më radhë bën raportin e punës 1-vjeçare në FSHF, ku nuk munguan edhe kritikat për disa nga problematikat më të mëdha, siç ishin dhuna, infrastruktura, por edhe fiksimi i ndeshjeve.

Ndarja e të drejtës televizive

Kalimi i kësaj faze protokollare çoi në një tjetër fazë shumë të rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja e kësaj Asambleje. Ishte ndryshimi në nenin 55 në statutin e FSHF-së, pika më kryesore që përcakton shumë për futbollin e vendit tonë. Kështu me ndryshime e bëra në këtë nen, klubet shqiptare të futbollin humbasin edhe të vetmen të drejtë që kishin pasur deri më tani, ajo që kishte të bënte me shpërndarjen dhe mbledhjen e të drejtës televizive.
Para kësaj asambleje ky nen ishte: “FSHF dhe anëtarët e saj janë pronarët origjinalë të të gjitha të drejtave që dalin nga garat dhe ngjarje të tjera që vijnë nga juridiksioni përkatës…”
Ndërsa tashmë me votimin e ditës së sotme bëhet: “FSHF, si organizatore e veprimtarive futbollistike në Republikën e Shqipërisë, është pronare e të drejtës së transmetimit (televiziv apo ne formën e teknologjive të reja) të kësaj veprimtarie, duke pasur të drejtën ta shesë atë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Pra, sipas këtyre ndryshimeve të bëra në statutin e FSHF-së të gjitha të drejtat për shpërndarjen e të drejtës televizive i kalojnë në mënyrë ekskluzive FSHF. Votimi për këtë pikë në asamble ishte unanim me të gjithë kartonët jeshilë që u ngritën nga drejtuesit e klubeve shqiptare. Mund të duket pak paradoksale, por klubet shqiptare, të gjitha, ranë dakord që FSHF t’ju marrë edhe këtë të drejtë të vetme që ato kishin.

Por në këtë ndryshim statusor ka edhe një paradoks tjetër. Me të madhe pak javë më parë, por edhe gjatë kësaj asambleje dhe më pas nga presidenti Duka u trumbetua krijimi i Ligës Profesioniste të Futbollit. Por kjo e fundit, duket vetëm si një mirazh për momentin, pasi nuk ka asgjë konkrete. Ende mungon një konfirmim në lidhje me regjistrimin në gjykatë të këtij organizimi të ri të futbollit në Shqipëri. Gjithashtu me ndryshimet e bëra në nenin 55 në Asamblenë e sotme, nxirret jashtë funksionit ende pa filluar punë, Liga Profesioniste e Futbollit. Dy detyrat kryesore që do duhej të kishte Liga, mbledhja e shpërndarja e të drejtës televizive dhe menaxhimi i sektorit të arbitrimit, nuk do të jenë kompetencë e saj.

Përjashtimi i 9 klubeve dhe anëtarësimi i 5 të rejave

Një tjetër pikë shumë e rëndësishme në Asamblenë e zakonshme të FSHF-së ishte dhe përjashtmi i 9 klubeve që nuk janë më aktive në kategoritë e futbollit shqiptar dhe anëtarësimi i 5 ekipeve të reja. Janë klubet e FK Sukthi, Sk Himara, FK Adriatiku, FK Pojani, KF Poliçani, FK Bilisht Sport, FC Fieri, KS Vlora dhe KS Olimpik të cilat nuk do të jenë më pjesë e Federatës Shqiptare të futbollit. Ndërkohë hyrjet e reja janë: Shënkolli, Vora, Oriku, Internacional dhe Spartaku të cilat militojnë në kategorinë e parë dhe të dytë të futbollit tonë

Ndryshimet në rregulloren për statutin e lojtarit

Ndërkohë ndryshime në këtë asamble janë bërë edhe për kontratat e lojtarëve dhe pagesat e prapambetura nga klubet. Me ndryshimet e reja, për klubet ngushtohet afati nga 3 muaj në 30 ditë koha e shlyerjes së detyrimeve financiare, por edhe për këtë pikë të gjithë përfaqësuesit e klubeve shqiptare votuan pro. Presidenti Duka u shpreh gjatë fjalës së tij se këto rregulla të reja, disi më të ashpra mbase nuk do i bëjë të gjithë anëtarët e FSHF-së të lumtur, por njerëzit e futbollit janë mësuar sipas tij që t’i pranojnë të treja rezultatet dhe kështu do duhet të pranojnë edhe këto shtrëngime administrative.

Duka: Asambleja ishte hapi i parë i një ndryshimi cilësor të futbollit tonë

Sakaq në mbyllje të asamblesë, duke folur për mediet kreu i FSHF-së, Duka u shpreh se ky ishte hapi i parë drejt një ndryshimi cilësor për futbollin shqiptar. Për numrin një të futbollit shqiptar duhet të intensifikohet puna për të përmirësuar kushtet për të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë lojë.

“Gjëja më e rëndësishme sipas meje që u përcoll nga kjo asamble, ishte se ne sot duhet të bëjmë një hap cilësor për ndryshimin e futbollit në vendin tonë. Futbolli ynë ka bërë një zhvillim më të madh se ç’mund të ketë bërë çdo sektor tjetër në Shqipëri. Por e rëndësishme është që ta vazhdojmë edhe më tej këtë hap, për të ndihmuar jo vetëm që ndjekin dhe e luajnë këtë sport, por edhe njerëzit që investojnë në futboll, përmes ndryshimeve ligjore”, tha Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë