Ekonomi

Vendet e Rajonit me rritje pozitive të ekonomisë, përveç Maqedonisë së Veriut

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Maqedonisë së Veriut kanë shënuar rritje ekonomike pozitive.

Raporti tregon vijueshmërinë  e tremujorit të parë 2021, ku përmirësim në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur konsumi privat, rritja  e besimit, e investimeve etj.

Ndryshe është  Maqedonia e Veriut, ku investimet publike kanë shënuar tkurrje. Konsumi privat këtu ka mbetur i dobët, duke reflektuar pasiguritë mbi ecurinë e pandemisë në vend.

Të dhëna të tjera, tregojnë se kjo tendencë vazhdoi edhe përgjatë tremujorit të dytë kur për të gjitha vendet e rajonit u rrit parashikimi për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe PBB-së së vendit.

Një tjetër tregues i pozitivitetit ekonomik është inflacioni, i pasqyruar në rritjen e çmimit të naftës dhe ushqimeve. Problemi njësoj si në Shqipëri, mbetet tek tregu i punësimit.

Për herë të parë për këtë vit, vendi jonë gjatë muajit gusht 2021 pati rënie në Indeksin e Besimit të Konsumatorëve dhe Biznesit.

Çmimet kanë ndjekur rrjedhën globale

Çmimet e mallrave parësore në tregjet ndërkombëtare kanë vazhduar të rriten duke pasqyruar rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, vështirësive në zinxhirët e furnizimit dhe efekteve nga ulja e çmimeve një vit më parë. Çmimi i naftës ka tejkaluar nivelet e periudhës para pandemisë, ndërsa çmimet e metaleve dhe të ushqimeve kanë arritur vlera historike ndër vitet e fundit.

Sipas raportit të BSH-së, rritja e çmimit të metaleve sjell efekte pozitive në eksportin e metalit vendas, i cili zë peshë të rëndësishme në eksportet totale.

Çmimi i naftës Brent ishte 81% më i lartë se një vit më parë dhe 15% më i lartë se në janar të vitit 2020, duke u kuotuar me rreth 73$/fuçi në muajin qershor. Rritja e çmimit të naftës u nxit nga rritja e kërkesës. Në të njëjtin kah ka ndikuar dhe kufizimi në prodhim për shkak të kuotave të reduktuara nga OPEC+ që prej vitit 2020.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë një rritje të theksuar të kërkesës për metale. Indeksi i çmimeve të metaleve është rritur 69% në qershor, krahasuar me vitin e kaluar. Në rritjen e çmimeve të metaleve kanë ndikuar edhe kufizimet në furnizim nga disa miniera kryesore. Edhe çmimet e produkteve bujqësore kanë njohur rritje të vazhdueshme që prej mesit të vitit të kaluar. Indeksi i çmimeve të ushqimeve u rrit me 39% në muajin qershor, nga një vit më parë.

Në prani të një kërkese të lartë, çmimet e ushqimeve janë ndikuar edhe nga të korra më të ulëta, nga probleme në furnizim dhe rritje të kostove të transportit ndërkombëtar, si dhe nga kufizimet në eksportin e drithërave nga Rusia. Vetëm 2 javë më parë furrat e bukës në Shqipëri rritën  çmimet e bukës dhe produkteve të tjera me miellin si lëndë të parë, por BSH-ja thotë se ky ëhstë thjesht një fenomen i përkohshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë