Politike

Vend i rekordeve, ndryshojmë online Kushtetutën në kohë pandemie

Shqipëria mund të hyjë në histori me si i vetmi vend në botë që ndryshon Kushtetutën me procedura në distancë (online) dhe i dyti pas Rusisë që e bën këtë gjatë në periudhën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Këto detaje janë vërejtur nga Instituti për Studime Politike.

“Pas vetëm dy javë konsultime dhe procedurë parlamentare Kuvendi i Shqipërisë përmes Këshillit për Legjislacionin vendosi me 100 për qind të votave të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë. Shqipëria bëhet vendi i vetëm europian dhe i dyti në botë (pas Rusisë) që ndryshon Kushtetutën në periudhën e COVID-19. Po ashtu Shqipëria bëhet vendi i vetëm në botë që ndryshon Kushtetutën me procedurë online”, thotë ISP.

ISP kujton se ndryshimet kanë rindezur debatin politik dhe akuzohen se po përdoren si instrument taktik nga shumica parlamentare për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, Instituti vlerëson se hapja e listave është një lajm pozitiv, por që do të duhej që të merrej me një mbështetje të të gjithë spektrit politik.

ISP thotë se veç kësaj, ndryshimet kushtetuese cenojnë marrëveshjen e 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik, sipas të cilës çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor do të duhet të diskutohet te ky i fundit.

“Një prej pikave thelbësore të marrëveshjes ishte ajo, sipas të cilës, asnjë ndryshim tjetër nuk mund të bëhet në Kod pa miratim paraprak në Këshillin Politik. Ndryshimet kushtetuese nuk u diskutuan në Këshillin Politik dhe nuk janë pjesë e rekomandimeve dhe as e mbështetjes nga ambasadat e SHBA, BE dhe UK që asistuan Këshillin Politik”, thotë Instituti.

ISP thotë se ndryshimi i Kushtetutës është bëhet për një qëllim politik afatshkurtër.

“Nëse do ta krahasonim me një libër kemi lënë të pandryshuar vetëm titullin e librit, hyrjen dhe ISBN, - gjithçka tjetër, përfshirë përmbajtja e tij është ndryshuar. Vijon tradita e demokracive hibride, sipas të cilës, kur kemi një problem dhe një qëllim politik afatshkurtër, nuk i zgjidhim ato duke ndryshuar sjelljen tonë ndaj problemit/qëllimit, por duke ndryshuar Kushtetutën, pra, duke ia përshtatur Kushtetutën nevojave ditore politike dhe duke e (keq)përdorur atë si mjet për arritjen e qëllimeve politike”, vlerëson Instituti.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë