Ka ndodhur

Përplasja me armë në Mamurras, lirohet polici dhe dy vëllezërit Fufi

Gjykata e Kurbinit ka liruar personat e përfshirë pak ditë më parë në përplasjen me armë zjarri në Mamurras, ku mbetën të plagosur edhe dy policë. Kështu, për policin David Madani është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

E njëjta masë është caktuar edhe për vëllezërit Rudolf dhe Gjon Fufin, të cilët dyshohet se dhunuan efektivin në fjalë.

Ndërkohë, masa e sigurisë për Nikoll Fufin (kushëri me dy të lartpërmendurit), do të jepet në spital, ku ndodhet për shkak të plagosjes.

Ngjarja ndodhi tre ditë më parë, ku gjithçka filloi gjatë një kontrolli të efektivëve në lokalin e F.L., me dyshimin për një aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Tre policët, David Medani, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, gjatë paradites së të mërkurës, kryen kontroll në ambientet e një lokalit në fjalë, por kanë hasur në kundërshtimin Nikoll Vorfit (Fufi), i cili u shoqërua më pas në polici për sqarimin e situatës dhe më pas është lënë i lirë.

Por ngjarja nuk është lënë me kaq. Nikoll Vorfi, së bashku me vëllezërit Gjon Fufi dhe Rudolf Fufi, kanë pritur që efektivët të ndërronin turnet e shërbimit dhe u kanë dalë përpara punonjësve të policisë, duke i goditur me shkopa bejzbolli.

Gjatë këtij momenti, efektivi David Medani, në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi, por edhe dy kolegët e tij policë, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja.

Ndaj 3 personave në lidhje me ngjarjen, u regjistrua procedimi për veprat penale, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Ndërsa për punonjësin e policisë, që qëlloi me armë zjarri, është ngritur akuza “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë