Vdes në moshën 97-vjeçare, Vito Kapo, e veja e Hysni Kapos, një nga figurat më të rëndësishme të PPSH-së gjatë regjimit komunist. Kapo ka mbajtur edhe vetë disa poste të rëndësishme gjatë periudhës komuniste, si ministre e Industrisë së lehtë në vitet 1987-1990 si dhe Kryetare e Bashkimit të Grave para viteve ‘90.
Kapo, gjithashtu u angazhua në formacionet partizane, fillimisht si sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan, në nëntor 1944 deri në maj të 1945 në Komitetin Qendror të PK-së. Vito Kapo mbylli sytë sot pranë familjarëve të saj në Tiranë. Vdekja e saj vjen tre ditë pas ndarjes nga jeta Nexhmije Hoxhës, e veja e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Vito Kapo u lind më 9 nëntor 1922 në Nivan të Zagorisë, e bija e dr. Stathi Kondit dhe Krisanthisë; motër e Pirro, Alqiut dhe Tanës. Më 1941 mbaroi Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” të Tiranës.1582957852_vitokapo905x395 Në vitet 1942-43 ra në kontakt me grupet komuniste dhe u bë pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës. Në shkurt-maj 1942 shërbeu si mësuese në fshatin e lindjes. Gjatë luftës u ndodh në Nivan, Konispol e Përmet.

Më 1943-44 qe anëtare e sekretare organizative e Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste për Gjirokastrën. Në korrik-nëntor 1944 punoi si sekretare e Enver Hoxhës pranë shtabit të përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan. Në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 qe në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare. Pas marrjes së fuqi të komunistëve, në korrik 1945 gjer në maj 1946 punoi atashe shtypi në legatën shqiptare në Beograd, ku i shoqi shërbeu si ambasador. Më vonë u emërua Drejtoreshë e Arsimit të Lartë dhe për një kohë shumë të gjatë ka drejtuar Bashkimin e Grave të Shqipërisë. Më 1960-1965 ndoqi Fakultetin Histori-Filologji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.