Atletike

Vdekja e rekordmenit Kiptum mbulohet me mister, atleti kishte marrë kërcënime

Gazeta Si – Kampioni afrikan mund të ketë qenë shënjestër e një tentative rrëmbimi. Makina e tij ecte me shpejtësi shumë të madhe. Pritet përfundimi i hetimit.

Dhimbja është e madhe, e gjitha bota sportive vajton për ndarjen nga jeta të Kelvin Kiptum, 24-vjeçarit kenian rekordmen të maratonës. Mbrëmjen e së dielës ai mbeti viktimë e një aksidenti tragjik automobilistik. Ishte ai në timonin e Toyota Premio, që doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Në atë aksident humbi jetën edhe Gervais Hakizimana, trajner i Kiptum. Rrethanat mbeten për t’u qartësuar.

Autoritetet kompetente kanë hapur një hetim dhe kanë kërkuar që dy viktimave t’u bëhet autopsia. Kanë marrë edhe dëshminë e Sharon Kosgei, gruas që ishte në makinë me ta dhe që mbeti e plagosur, jashtë rrezikut për jetën. Përreth kësaj ngjarjeje ka shumë mister, duke nisur që nga ora kur ajo ndodhi.

U tha se aksidenti ndodhi në orën 23 (ora lokale), kurse babai i sportistit ka thënë se e mori lajmin në orën 21. Ai ka treguar po ashtu se disa persona të paidentifikuar, 4 ditë më parë, kishin hyrë me forcë në shtëpinë e të birit dhe të Hakizimana, në Chepkorio, ku ata punojnë, ndoshta për të kërkuar para.

Dhe nëse sulmet ndaj figurave publike në Kenia dhe disa vende të tjera afrikane janë të zakonshme, është shumë e lehtë të lidhësh dy ngjarjet dhe të ngresh hipotezën e sabotimit. Fakt është se Kiptum po e ngiste makinën përtej limiteve të shpejtësisë. Makina, në anën e djathtë, në Kenia ana e shoferit, ishte shkatërruar.

Mes mesazhve të shumta pas ngjarjes tragjike, Eliud Kipçoge, të cilit Kiptum në tetor i theu rekordin e 42 kilometrave, shkruante: "Ndjej dhimbje të thellë për humbjen e Kelvin. Kishte gjithë jetën përpara dhe një të ardhme sportive madhështore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë