Analize

Vdekja e Navalny la një boshllëk në opozitën ruse, a mund ta mbushë e veja e tij?

Nga Gazeta 'Si'-Zëri i bashkëshortes, ishte gjëja e parë që njohu Alexei Navalny kur doli nga gjendja e komës pas një helmimi të rendë me agjentin nervor Noviçok, për të cilën ai fajësoi publikisht Kremlinin. Të hënën, ajo u shpreh me shumë zemëratë kundër presidentit Vladimir Putin.

Yulia Navalnaya e akuzoi drejtpërdrejt atë për vrasjen e burrit të saj, teksa u zotua të marrë drejtimin e betejës së bashkëshortit të saj të ndjerë për një “Rusi të lirë”. Sfida e saj pas vdekjes së Navalny-t në një burg të sigurisë së lartë në Arktik, e ka kthyer atë në një udhëheqëse në pritje të opozitës së dërrmuar të vendit, duke rritur shpresat se ëndrra e tij për një “Rusi të bukur të së ardhmes” nuk ka vdekur bashkë me të.

“Putin vrau gjysmën time”

Navalnaya, 47 vjeçe, është parë nga publiku prej vitesh përkrah bashkëshortit të saj. Ajo e ka ndjekur rregullisht protesta dhe tubimet e organizuara nga i shoqi, dhe ishte pranishme  vazhdimisht në media kur Navalny bënte fushatat e tij kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe luftonte për një Rusi më demokratike.

Por ajo qëndroi kryesisht në hijen e burrit të saj, derisa jeta e tij nisi të ishte në fije të perit. Kur Navalny u helmua në vitin 2020, Navalnaya luajti një rol thelbësor në largimin e tij nga Rusia për trajtim spitalor urgjent. Madje ajo iu lut Putinit me një kërkesë me shkrim që ta lejonte burrin e saj të shkonte të kurohej në Gjermani.

Më vonë Alexei tha se ajo i shpëtoi jetën. Në atë kohë Navalnaya tha se detyrohej të mbante syze dielli, që askush të mos e shihte duke qarë. Ky stoicizëm, vazhdoi deri kur të premten e kaluar u dha lajmi për vdekjen e burrit të saj, ndërsa ajo ndodhej në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

 Yulia doli përpara medias me fytyrën e zbehtë, por me një pamje që tregonte vendosmëri. Ajo konfirmoi lajmin e vdekjes së bashkëshortit të saj, teksa tha se do të bëjë çmos që të mbajë nxjerrë para përgjegjësisë Kremlinin për atë që i bëri familjes dhe vendit të saj.

Tre ditë më vonë, ajo mbajti një fjalim më të gjatë dhe befasuese, duke e akuzuar Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj. “Vladimir Putini vrau gjysmën time, gjysmën e zemrës sime, gjysmën e shpirtit tim”- tha ajo, me zërin e saj që i dridhej herë pas here gjatë fjalimit 9-minutësh.

“Por mua më ka mbetur gjysma tjetër, dhe ajo po më thotë se nuk kam të drejtë të heq dorë nga beteja e tim shoqi”- theksoi më tej. Nga shumë njerëz, kjo deklaratë u interpretua si shprehje e ambicieve të saj politike në një kohë kur opozita ruse - tashmë e shkatërruar nga vitet e represionit dhe goditjes që pasoi luftën në Ukrainë - po tkurret akoma më shumë për shkak të vdekjes së kreut të saj.

“Kjo është vërtet një ofertë politike për udhëheqje”- mendon Andrei Kolesnikov,  bashkëpunëtor i lartë në qendrën Carnegie Russia Eurasia. “Ajo ka një shansin të bëhet një figurë unifikuese, pasi mund të jetë një simbol moral i rezistencës ndaj regjimit të Putinit”-thekson ai.

Zërat se Navalnaya duhet të zërë vendin e Navalny-t, nisën që qarkullojnë që kur këtij të fundit iu ndalua kandidimi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. Megjithatë e pyetur mbi ambiciet e saj politike në një intervistë për revistën “Harper’s Bazaar” në vitin 2021, Yulia tha vetëm se është “shumë më interesante të jesh gruaja e një politikani”.

Dhe në marsin e vitit të kaluar, ajo tha për të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, se nuk do të hynte në politikë për të “zëvendësuar” burrin e saj. Por me largimin e Navalny-t nga kjo jetë, ajo mund të ketë ndjerë se kishte pak alternativa në dispozicion.

Navalnaya e nisi fjalimin e saj të hënën me shprehjen “Përshëndetje, unë jam Yulia Navalnaya” - një kopjim i mënyrën që përdorte Alexei për të filluar fjalimet e tij video që më pas i postonte në rrjetet sociale. Kjo simbolikë nuk kaloi pa u vënë re, pasi video u pa më shumë se 2 milionë herë në vetëm 4 orët e para.

“Ju e patë sesa grua e fortë është. Ajo është kandidatja më e mirë për ta udhëhequr këtë kauzë”- thotë ish-ambasadori i SHBA në Rusi, Michael McFaul. “Fjalimi i saj në Mynih ishte elektrizues”- shtoi ai. Diplomati amerikan e quajti Navalnaya “të zgjuar, karizmatike, parimore dhe kurajoze” në një intervistë dhënë për NBC Neës në vitin 2021.

Ai shtoi në atë kohë, se ajo zotëronte “të gjitha kredencialet” për t’u bërë vetë një udhëheqëse e opozitës. Vetë Navalny kishte thënë se gruaja e tij ndan pikëpamjet e tij politike, dhe se në disa aspekte ajo ishte edhe më radikale se ai.

Më shumë se sa një simbol?

Ndërsa ka figura të tjera që mund të pretendojnë të drejtojnë opozitën ruse - shumica prej tyre po në burg si Alexei - pak prej tyre kanë peshën simbolike apo profilin global të Navalnaya-s. Në këtë kuptim, ajo po krahasohet me udhëheqësen e opozitës bjelloruse sot në mërgim Sviatlana Tsikhanouskaya , e cila çuditërisht u lejua të kandidonte për presidente në zgjedhjet e vitit 2020, pasi bashkëshorti i saj, blogeri i opozitës Sergei Tikhanovsky, u burgos nga regjimi i Lukashenkos.

Ky i fundit fitoi sërish, gjë që nxiti protesta të mëdha popullore kundër manipulimeve. Ato u shtypën me dhunë dhe e detyruan Tsikhanouskaya-n të kërkonte mërgim në Perëndim, ku ajo mbetet udhëheqja zyrtare e opozitës, edhe pse momentalisht ka pak ndikim brenda Bjellorusisë.

“I njëjti rrezik e pret edhe Yulian:Ata në Perëndim do të takohen me të, do ta nderojnë, por ajo mund të mos bëhet kurrë një lojtare me peshë, duke mos pasur mbështetje serioze brenda vendit”- thotë Tatiana Stanovaya, studiuese në Carnegie Endowment for International Peace, dhe themeluese e drejtues e kompanisë së analizave politike “R.Politik”.

Por ajo thekson se shumëçka do të varet nga ajo që do të ofrojë Navalnaya. “Dhe jo si e veja e një politikani të shquar që u torturua deri në vdekje, por si një figurë e pavarur”- shton ajo. Për momentin mbetet e paqartë se çfarë mund të ketë në mendje të bëjë Navalnaya.

Pra nëse ajo do të kërkojë të kthehet në Rusi, duke rrezikuar të njëjtin fat si burri i saj, apo do të vazhdojë nga larg përpjekjet e tij kundër korrupsionit të zyrtarëve  të regjimit aktual.

E lindur dhe e rritur në Moskë, Navalnaya u diplomua në Universitetin Ekonomik Rus Plekhanov, teksa ka marrë edhe një diplomë tjetër për marrëdhënie ndërkombëtare. Ajo ka punuar në një bankë përpara se të martohej me Navalny-n, dhe që kur nisi karriera e tij politike, ajo është kujdesur edhe për dy fëmijët e tyre, Daria dhe Zakhar.

Lidhja e saj me Navalny-n ka qenë në kontrast të plotë me Putinin, i cili e ka mbajtur familjen e tij kryesisht të fshehur nga syri i publikut gjatë sundimit të tij prej më shumë se 2 dekadash. Ky nuk ishte rasti me çiftin Navalny,që shfaqnin hapur dashurinë në mediat sociale por edhe dhimbjen e ndarjes kur ai u burgos.

Megjithatë, Yulia thotë se nuk u përpoq asnjëherë që ta largonte Navalny-n nga beteja e tij politike kundër Putinit. Ajo e pranoi çmimin Oscar në Los Anxhelos vitin e kaluar për dokumentarin më të mirë, “Navalny”, duke i dërguar atij një mesazh:”Qëndro i fortë dashuria ime!”.

Postimi i fundit i Navalny nga burgu, ishte një mesazh për ditën e Shën Valentinit për bashkëshorten e tij. Një nga imazhet e fundit publike të çiftit, është në avionin që po i kthente në Rusi në fillim të vitit 2021. Alexei kishte vendosur të rikthehej në shtëpi dhe të përballej me arrestimin e sigurt, pasi u shërua në Gjermani nga pasojat e helmimit që pësoi.

Në një avion të mbushur me gazetarë që ndiqnin çdo lëvizje të tyre, çifti pa në heshtje filmin vizatimor “Rick and Morty” teksa ndanin një palë kufje.

Ishte një nga momentet e tyre të fundit së bashku, kur Navalny ishte ende një njeri i lirë. “Të jetosh do të thotë t’i rrezikosh të gjitha”- tha ai në gjykatë një muaj më vonë, duke recituar një citim nga filmi i animuar. Pas vdekjes së Alexei-t, edhe gruaja e tij mund të ketë arritur në të njëjtin përfundim.

Burimi: Yuliya Talmazan/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë