Sociale

Vdekja e dy punëtorëve, lihet në burg investitori i firmës “Syla”

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Bendon, investitori i firmës “Syla”, i cili u arrestua pas tragjedisë së ndodhur tri ditë më parë ku dy punëtorë humbën jetën dhe 3 të tjerë u plagosën.
Po ashtu gjykata ka dhënë “arrest shtëpie” për Xhimi Tarushi, specialist i suvatimeve të suvave.
Avokati i Ilir Bendos tha se klienti i tij ka pasur për detyrë instruksionin e punëtorëve dhe ai e ka bërë.
“Skela kishte 40 ditë që ishte montuar. Kërkojmë një masë më të butë sigurie atë të detyrimit të paraqitjes”, shprehet avokati.


Ngjarja


Tragjedia ndodhi tri ditë më parë, në rrugën “Faik Konica”, më kryeqytet ku u shkëput një skelë nga pallati 14-katësh.
Duke qenë se punimet ishin në fazën e tyre të fundit në pjesën e pasme të pallatit, të pestë punëtorët kishin filluar çmontimin e saj. Ende është e paqartë se si ka ndodhur që skela të shkëputet, por diçka ka shkuar keq dhe struktura metalike e kompanisë “Syla” është rrëzuar e gjitha përtokë. Të pestë punëtorët morën plagë të rënda, por vetëm dy prej tyre ishin më fatkeq dhe humbën jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë