Ngjarje

Vdekja e 3-vjeçarit në Tiranë/ Nis hetimi për neglizhencë. Alibia e mjekut dhe mungesa e kamerave në klinikë

Gazeta Si - Prokuroria  e Tiranës ka nisur hetimin për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, për vdekjen së 3-vjeçarit me iniciale B.S., pas trajtimit të marrë në klinikën dentare në kryeqytet, ku punonte si anestezist mjeku Roland Xhaxho.

Organi i akuzës njofton se po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së të miturit.

LEXO EDHE:
Tiranë, 3-vjeçari humb jetën pas operacionit te dentisti. Familja akuzon mjekun, kërkon drejtësi: Ndryshe e bëjmë vetë!

“Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit”, thuhet mes të tjerash në njoftimin për mediat.

Kartela mjekësore

Kartela mjekësore

Hetuesit kanë sekuestruar kartelën stomatologjike të 3-vjeçarit. Sakaq, 3-vjeçari dyshohet se ndërroi jetë si pasojë e dozës së lartë të narkozës. Ndaj të miturit, dyshohet se u injektua narkozë totale për shkak të ndërhyrjes në disa dhëmbë.

Pas ndërhyrjes, fëmija nuk u zgjua dhe sipas familjarëve, klinika dentare u tha ta merrnin fëmijën në shtëpi dhe se do të zgjohej më vonë.

Por 3-vjeçari nuk po reagonte dhe u dërgua në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Kanë qenë familjarët e fëmijës që denoncuan në polici klinikën dentare.

Ndërkohë, mjeku anestezist Roland Xhaxho, i cili asistoi fëmijën gjatë ndërhyrjes në dhëmbë, ka mohuar përgjegjësinë e tij nga ana mjekësore për ngjarjen e rëndë.

Sipas tij, arsyeja pse të gjithë dhëmbët e fëmijës janë kuruar brenda një seance, është sepse fëmija kishte lindur me probleme në zemër, gjë për të cilën është operuar dhe dy vite më parë.

Nga ana tjetër, Guri Spahiu, gjyshi i 3-vjeçarit që humbi jetën tri ditë pasi mori mjekim nga mjeku Roland Xhaxho në klinikën e tij private në Tiranë, insiston se shkaktare e vdekjes së nipit të tij është narkoza e tepërt e dhënë nga 70-vjeçari.

Ai theksoi se veprimi nuk ka qenë i qëllimshëm, por përpjekja për të fshehur ngjarjen, e bën këtë gjë kriminale.

Mjekja stomatologe Ina Xhaxho dhe anestezisti Roland Xhaxho

Alibia e Roland Xhaxhos

Siç deklaroi mjeku në një intervistë në media, Xhaxho u shpreh se dhëmbët e të miturit kishin infeksion dhe duheshin trajtuar sa më shpejt në mënyrë që infeksioni të mos shkonte në zemër, duke qenë se kishte problematike.

Në deklaratën e tij, thuhet se fëmija ka dalë zgjuar nga klinika, në krahët e të atit dhe duke kërkuar vëllain e vogël.

Sa i përket rastit në fjalë, ai thotë se fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme. Për këtë pretendon se ka sqaruar prindërit të cilët kanë firmosur edhe konsensusin.

Kjo mënyrë e trajtimit sipas tij u zgjodh si pasojë e një defekti në zemër që kishe djali i mitur.

“Djali ka lindur me defekt në zemër, për të cilin është operuar rreth dy vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni tek këta fëmijë sepse shkaktojnë infeksione të rënda në zemër. Në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seancë në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve”, deklaron ai.

Roland Xhaxho (majtas) dhe gjyshi i fëmijës që humbi jetë, Guri Spahiu

“Djali doli i zgjuar në krahët e të atit”

Sipas mjekut, procedura ka qenë e zakonshme, rutinë sipas të gjitha protokolleve dhe pa asnjë problematikë të veçantë.

“Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij duke kërkuar të takonte vëllain më të vogël. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjuar”, deklaron mjeku.

Sipas mjekut, gjendja është komplikuar kur fëmija ka qenë në shtëpi dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT-së nga prindërit.

“Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës”, është shprehur mjeku.

Xhaxho shprehet se sapo është informuar për këtë, ka kontaktuar me kolegët e QSUT dhe me kërkesë të familjarëve ka qenë duke i asistuar ata.

“Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës”.

“Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, shprehet ai.

Mjeku thotë se çdo hipotezë lidhur me gjendjen e fëmijës gjatë anestezisë dhe procedurës dentare është e pajustifikuar.

Klinika mjekësore, ku 3-vjeçari kreu ndërhyrje kirurgjikale

Mungesa e kamerave në klinikë

Roland Xhaxho ka shprehur qëndrime të kundërta me familjarët e fëmijës edhe sa i përket kohëzgjatjes së operacionit. Gjyshi i B.S., pretendon se operacioni ka zgjatur 9 orë.

Ndërsa mjeku, gjatë deklaratave në media, thotë se i mituri u fut në sallë rreth orës 10:30 të mëngjesit dhe doli rreth orës 17:00.

Megjithatë, prania e kamerave të sigurisë do të konfirmonte një dyshim të tillë për pretendimet mes palëve, por Xhaxho, ka shtuar se klinika mjekësore nuk ka pajisje të tilla, pasi sipas tij, “është diçka individuale”.

Një gjë e tillë duhet të provohet tashmë nga prokuroria, e cila ka nisur hetimet, por duket pak e çuditshme që një klinikë mjekësore moderne të mos ketë kamera.

Sakaq, policia ka bërë veprimet e para, duke marrë në pyetje mjekun dhe stafin e klinikës. Rasti është referuar në prokurori për vepër penale “Neglizhencë në Mjekim”, e cila konsiderohet sipas Kodit Penal si kundravajtje penale dhe jo vepër penale.

Policia dhe prokuroria po presin autopsinë e 3-vjeçarit për të kryer veprime të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë