Ngjarje

“Vdekja” 6 orëshe e Facebook, të rinjtë u kënaqën, të moshuarit u stresuan

Kur shqiptarët panë se WhatsApp, Instagram dhe Facebook, ndaluan plotësisht së punuari pak para orës 17:00 të ditës së hënë, u stresuan, por orët që kaluan pa to ishin të lumtura.

“Nuk mendova fare të shkarkoj asnjë aplikacion tjetër. Isha e lumtur pa to”, thotë për Gazetasi.al Alketa Lushaj, një 25-vjeç.

Shoqja e saj, Sano tha se i ka të shkarkuar edhe aplikacionet e tjera por vendosi të mos i përdorte dhe “ishte një vendim i mirë, pasi i dedikova kohë vetes dhe ishin orë të lumtura”.

Të tjerë qytetarë tregojnë se ishte një ndërprerje që duhej pasi i ndihmoi të merreshin me “punë që i kishin harruar me kohë”.

“Unë nisa të lexoj pas shumë kohësh një libër, “Princesha” nga Jean Sasson. Mendoj se kisha ndaluar së lexuari pikërisht sepse isha fokusuar më shumë se ç’duhet në këto rrjete sociale. Isha më e qetë dhe më rehat duke lexuar, pa kthyer kokën se mos po vjen ndonjë njoftim në Instagram apo WhatsApp”, thotë një vajzë rreth të 30-ave në Rrugën e Durrësit, Tiranë.

Albi, një student thotë se shfrytëzoi kohën pa rrjetet sociale për të pastruar shtëpinë, për të palosur rrobat dhe për të bërë çdo punë tjetër në shtëpi.

“Nuk më ndodh shpesh të pastroj shtëpinë sepse deri tani mendoja se nuk kam kohë. Mbrëmë e kuptova se kam kohë, thjeshtë kohën që kam ia dedikoj Facebook dhe Instagram më së shumti”.

Ato që nuk ishin të lumtur dhe nuk e dinin se çfarë po ndodhte ishin mosha e tretë.

Lumturia, një grua rreth të 60-ave tregon për gazetasi.al se kur e kuptoi se nuk po i shkonin mesazhet në WhatsApp vajzës që ka në Itali, vrapoi për tek servisi i telefonave që sado që u mundua t’i shpjegonte se përse nuk mund të dërgojë mesazhe, ajo ishte thjesht e hutuar dhe  “kurrsesi nuk mund të ndodhë që të mos funksionojnë rrjetet sociale në të gjithë botën”, thotë e moshuara e cila vazhdonte të mos e dinte çfarë ka ndodhur vërtetë, mjaftohet që tani mund të flasë me vajzën në Itali.

Kristina, një tjetër e moshuar thotë se shkoi tek nipërit e saj “për të rregulluar problemin”.

“Unë jetoj në 21-sh ndërsa dy nipërit e mi rrinë në Don Bosko. Sapo vura re se nuk po dërgoj dot mesazhe shkova tek to. Më thanë të shkarkoj ndonjë aplikacion tjetër por nuk kam moshë unë më për këto gjëra kështu që vetëm prita derisa të rregullohen”, thotë ajo.

Ndërprerjet e Facebook ndodhin relativisht rrallë, por priren të jenë të mëdha në ndikimin e tyre, kjo sepse ndikon në tre nga aplikacionet më të mëdha në botë.

Kompania është shpesh e fshehtë për shkaqet e ndonjë problemi dhe nuk ka tendencë t'i shpjegojë ato edhe pasi të jenë rregulluar. Në vitin 2019, për shembull, kompania pësoi ndërprerjen e saj më të madhe në vite dhe tha vetëm se “kishte një problem gjatë operacioneve të mirëmbajtjes rutinë".

Në atë kohë, Mark Zuckerberg tha se ndërprerje të tilla janë një problem i madh pasi kjo mund t’i shtyjë njerëzit të përdorin aplikacionet konkurrente dhe mund të duhen muaj për të rifituar besimin dhe për t’i kthyer njerëzit në platformat e Facebook, nëse ato kthehen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë