Ngjarje

Çfarë i ndodhi Facebook-ut?

Një zëdhënës i kompanisë së Facebook ditën e djeshme kërkoi falje për ndërprerjen globale të Facebook, Instagram dhe WhatsApp , por nuk dha asnjë të dhënë se pse filloi ndërprerja.

Grupi i monitorimit të faqeve në internet DownDetector e cilësoi si "dështimin më të madh të këtij lloji të parë ndonjëherë", me 10.6 milionë raportime problemesh në nivel global.

Aksionet e Facebook, i cili ka gati 2 miliardë përdorues aktivë ditorë ranë me 4.6% përgjatë ditës së hënë. Gjithashtu, pasuria personale e Mark Zuckerberg ka rënë me më shumë se 6 miliardë dollarë në pak orë, duke e rrëzuar atë në listën e njerëzve më të pasur në botë.

Ekspertët e sigurisë thanë se problemi mund të jetë rezultat i një gabimi të brendshëm, megjithëse edhe sabotimi nga një i brendshëm ishte teorikisht i mundur.

"Facebook në thelb kyçi veten brenda makinës së tij", shkroi disa orë më vonë në Twitter, Jonathan Zittrain, drejtor i Qendrës Berkman Klein të Harvard-it për Internet dhe Shoqëri.

Ditën e martë, Facebook lëshoi një deklaratë ku konfirmoi se shkaku i ndërprerjes ishte një ndryshim i konfigurimit të ruterave bazë që koordinojnë trafikun e rrjetit midis qendrave të të dhënave të kompanisë dhe kjo ndaloi gjithë shërbimet e Facebook.

Duhej shumë kohë për të rregulluar gjithë sistemin sepse siç u raportua, stafi i Facebook nuk ishte në gjendje të hynte në zyrat e tyre për shkak të sistemit të kalimit të sigurisë që ishte kapur në ndërprerje dhe për këtë arsye, thuhet se Facebook dërgoi një ekip teknik në serverët e tij në Kaliforni për të rivendosur manualisht serverët ku lindi problemi.

Ndërkohë, Facebook është në një fazë jo të mirë. Para disa ditësh kompania ndaloi një plan për të lançuar Instagramin për fëmijët pasi ishte një aplikacion që do të ndikonte në shëndetin mendor të fëmijëve.

Gjithashtu, ish-menaxherja e produktit në Facebook, Frances Haugen, doli të dielën në një emision duke thënë se Facebook i kishte dhënë përparësi rritjes dhe fitimit mbi sigurinë publike.

Ajo tregoi një sërë dokumentash që sipas saj, tregojnë se Facebook e di se platformat e tij janë përdorur për të përhapur urrejtje, dhunë dhe dezinformata dhe se kompania është përpjekur t'i fshehë ato dëshmi.

"Facebook vazhdimisht kishte konflikte interesi midis asaj që ishte e mirë për publikun dhe asaj që ishte e mirë për Facebook, dhe Facebook zgjodhi interesat e veta, si të fitonte më shumë para”, tha Haugen.

Rreth një muaj më parë, Haugen ndau dokumentet dhe tetë ankesa me Wall Street Journal, ku pas një hetimi, u zbulua se Facebook ishte në dijeni të problemeve me aplikacionet e tij, përfshirë efektet negative të dezinformatave dhe dëmin e shkaktuar, veçanërisht te vajzat e reja, nga Instagram.

Facebook ka kundërshtuar në mënyrë agresive raportet, duke i quajtur shumë prej pretendimeve "mashtruese" dhe duke argumentuar se aplikacionet e tij bëjnë më shumë mirë sesa dëm.

Probleme patën edhe aplikacionet e tjera si Telegram duke qenë se, sipas të dhënave, mijëra përdorues të rinj janë regjistruar në Telegram në të njëjtën kohë, duke bërë që aplikacioni i tyre të ngadalësohet ndjeshëm.

Burimet: CNN, Bloomberg, The Independent.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë