Kosova

Vazhdon bllokimi në Kosovë, Serbia vë në gadishmëri ushtrinë

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara për të pestën ditë radhazi pasi serbët nuk pranojnë të lirojnë pikëkalimin për shkak të reciprocitetit të taksave.

Nata e së enjtes ka kaluar pa incidente, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur t’u kërkojnë të hënën veturave me targa serbë të vënë targa të përkohshme, duke theksuar se Serbia po të njëjtën gjë po e bën prej vitesh.

Ndonëse asnjë incident i theksuar nuk është regjistuar që nga e hëna, nga autoritetet ndërkombëtare është bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Të enjten në mbrëmje ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë.

Stefanovi u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali, Millan Mojsillovic.

“Ushtria jonë nuk provokon, por është e gatshme t’i mbrojë njerëzit nëse ndodh ndonjë gjë që rrezikon jetën e tyre. Është e rëndësishme për mua të shoh që këta njerëz janë të gatshëm.”, tha ministri serb.

Ai shton se ai pret një reagim nga BE-ja dhe KFOR-i, por që aktualisht gjëja më e rëndësishme, sipas tij, është mbrojtja e jetës së serbëve.

“Më vjen mirë që presidenti nuk po lejon askënd të na shkelë dhe poshtërojë. Më vjen mirë që Serbia sot ka shumë më tepër fuqi sesa në dekadat e mëparshme dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë pa provokuar askënd, por me urdhër të Presidentit, të jemi gati për të mbrojtur njerëzit tanë”, përfundoi Stefanovic.

Në komunat serbe, si Shtërpcë, Ranillug, Novobërdë e Mitrovicë të Jugut janë vendosur billborde ku shkruhej “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”. Ato janë ka hequr Policia e Kosovës.

Burime kanë thënë për “KosovaPress” se katër rusë sot kanë hyrë në mesin e serbëve në veri në Jarinje. Sipas burimeve të “KosovaPress” në vendin e ngjarjes, rusët kanë sjellë me vete edhe tri çanta, të cilas sipas të gjitha gjasave, përmbajnë pajisje kibernetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë