Vetëm numri i ulët i testimeve dhe gjurmimit të rasteve nuk mjafton që të bindë shkencëtarët se përse vendet e varfra koronavirusi i ri nuk i ka goditur aq fort se vende të zhvilluara në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye ata janë vënë prej kohësh në përpjekje që të zbërthejnë këtë enigmë.
E në përpjekje për t’i dhënë një përgjigje, një grup shkencëtarësh britanikë kanë dalë në përfundimin se arsyet janë kryesisht dy; mosha mesatare relativisht e re në vendet e varfra dhe ekspozimi i vazhdueshëm i banorëve të këtyre vendeve ndaj sëmundjeve ngjitëse.
Është provuar tashmë që Covid-19 është me vdekjeprurës te mosha e tretë, sidomos grupin nga 70 deri në 80 vjeç dhe logjikisht, sa më e re të jetë mosha e një vendi të prekur nga pandemia, aq më të pakta do të jenë rastet fatale.
Si shembull, shkencëtarët kanë krahasuar Afrikën e Jugut me Britaninë e Madhe. Ky vend ka konfirmuar mbi 600 mijë të infektuar, pothuajse dyfishi i rasteve që ka raportuar Britania e Madhe. Megjithatë, Afrika e Jugut ka vetëm 14 mijë të vdekur, shumë më pak se mbi 40 mijë të tillë që janë regjistruar në Britani. Arsyeja e kësaj diference të madhe shpjegohet edhe me moshën mesatare. Britania e Madhe ka një moshë mesatare rreth 40 vjeç, ndërsa Afrika e Jugut vetëm 28 vjeç.
I njëjti fenomen vihet re edhe kur krahasohen vende të tjera të varfra, kryesisht të Afrikës dhe të Azisë me vendet e zhvilluara të Europës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo vende në zhvillim të Amerikës Latine.
Nëse krahasohen si kontinente, e gjithë Afrika ka pak më shumë se 21 mijë vdekje nga koronavirusi, ose 10 herë më pak se Europa, apo 20 herë më pak se vendet e Amerikës Latine. Gjithashtu, Afrika numëron pak më shumë se 1 milionë të infektuar, shifër kjo që në Europë është 4.2 milionë dhe 13.1 milionë në SHBA dhe Amerikën Latine.
Arsyeja tjetër e kësaj diference, sipas shkencëtarëve britanikë, mund të shpjegohet edhe me faktin që njerëzit që jetojnë në vende të varfra kanë qenë më të ekspozuar ndaj koronaviruseve të tjera në të shkuarën. Sipas disa studimeve, është provuar se ekspozimi ndaj koronaviruseve të ngjashme rrit sistemin mbrojtës së organizmit.
Ku qëndron Shqipëria mes Europës dhe vendeve të varfra?
Mosha mesatare e vendeve të Europës është rreth 43 vjeç, ndërsa mosha mesatare e gjithë Afrikës është 19 vjeç. Në Shqipëri, mosha mesatare është 36.4 vjeç. Diferenca në krahasim me Bashkimin Europian duket e vogël, por është e mjaftueshme që ta vendosë vendin tonë në pozita më komode se vendet e zhvilluara europiane sa i takon përhapjes dhe rasteve fatale të koronavirusit.
Faktori tjetër është jetëgjatësia. Në Afrikë jetëgjatësia mesatare në të gjithë kontinentin është 64 vjeç. Kjo do të thotë se në këto vende numri i personave që preken më fort nga koronavirusi është shumë herë më i vogël se numri i tyre që preken në Europë, ku jetëgjatësia është 81 vjeç.
Në Shqipëri, jetëgjatësia është rreth 78.5 vjeç. Edhe në këtë rast, diferenca me vendet e BE-së nuk duket fort e madhe, por sërish, nëse do t’u referohemi gjetjeve të shkencëtarëve britanikë, është e mjaftueshme që në vendin tonë të reflektohet numër i paktë vdekjesh për 1 mln banorë në krahasim me vendet e zhvilluara europiane.
Për të kuptuar më mirë se ku ndodhet Shqipëria mes vendeve të zhvilluara dhe atyre të varfra përsa i përket pasojave shëndetësore të Covid-19, Gazeta “Si” sjell një krahasim të shkurtër të numrit të vdekjeve për 1 milionë banorë.
Si shembull në Britaninë e Madhe numri i vdekjeve për 1 mln banor është 612, ndërsa në SHBA 561. Por, në Afganistan ky numër është 36, në Jemen 19, Siri vetëm 7, Haiti 18, Pakistan 29 dhe Nepal 9. Me 312 vdekje deri më 5 shtator, Shqipëria e ka numrin e vdekjeve për 1 milion banorë rreth 111 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje