Futboll

VAR-i ndal Brazilin, konfuzion dhe vetëm 1 pikë ndaj Venezuelës

Konfuzioni dhe frustrimi i kanë bërë një shaka të pakëndshme Brazilit, që barazoi 0-0 kundër Venezuelën në raundin e dytë të ndeshjeve në Grupin A. Brazilianët u treguan të brishtë në zonën e rreptësisë dhe paguan paqartësinë e sulmuesve, si të titullarëve, ashtu edhe të atyre që u futën nga stoli. Nuk ishte mbrëmja e të zotëve të shtëpisë, që u ndalën dy herë nga VAR-i. Venezuela u mbrojt shumë fort për të marrë një pikë, që mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin.

Trajneri i Brazilit, Tite, aktivizoi nga minuta e parë mesfushorin Artur, i cili la pas dëmtimin. Seleçao kishte kontrollin total të topit, por nuk ishte në gjendje të konkretizonte sulmet. Lojtarët e repartit të avancuar u treguan konfuzë në 15 metrat e fundit. Neres krijoi hapësira në krahun e majtë, megjithatë sulmi nuk pati në asnjë moment gjakftohtësinë e duhur. Portieri Alison mbeti spektator, sepse Venezuela ishte e gjitha në gjysmëfushën e saj.

Dëshpërimi i brazilianëve pas barazimit me Venezuelën

Në pjesën e dytë Tites iu desh t’i përziente “kartat” në majën e skuadrës. Aktivizoi Gabriel Jesus në vend të Riçarlison dhe më në fund erdhi goli, por VAR-i ngriu buzëqeshjen e lojtarëve dhe tifozëve të Brazilit, për shkak të një pozicioni jashtë loje të kontestuar të Neres. Tite hodhi në fushë edhe sulmuesin Everton në 20 minutat e fundit, por situata nuk ndryshoi. Vështirësia në krijimin e rasteve për gol pasqyrohet në 13 gjuajtjet e bëra nga brazilianët deri në minutën e 80-të. Kaq gjuajtje Brazili i bëri vetëm në pjesën e parë ndaj Bolivisë. Everton depërtoi shumë bukur 3 minuta para fundit dhe gjeti në zonë Koutinjon, i cili e dërgoi topin në rrjetë, por edhe këtë herë VAR-i prishi festën e vendësve për një prekje me dorë të Firminos gjatë aksionit. Të shtyrë edhe nga publiku, brazilianët bënë përpjekjet e fundit në kohën shtesë, por porta e Venezuelës mbeti e mallkuar.

Pas vërshëllimës përfundimtare, Brazili është kontestuar nga tifozët, sepse tani i duhet të sigurojë kualifikimin në ndeshjen e fundit në grup. Brazili ka 4 pikë pas 2 ndeshjesh, 2 më shumë se Venezuela, që ndeshet me Bolivinë e eliminuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë