Futboll

Vanda zbulon prapaskenën: Ikardi sot do ishte partneri i Ronaldos!

Bashkëshortja dhe menaxherja e kapitenit të Interit, Vanda Nara, ka treguar se si argjentinasi sot mund të ishte partneri i Kristiano Ronaldos në sulmin e Juventusit. Nara vazhdon të luajë “ndeshjen” e saj për çështjen e rinovimit të Ikardit. Por fjalët e fundit të saj me siguri nuk do t’u pëlqejnë drejtuesve të Interit, të cilët janë të predispozuar për ta mbyllur sa më parë kontratën e re me sulmuesin, sapo të ndërpritet kampionati.

“Duhet të ulem sërish dhe të flas, - ka thënë Vanda në “Tiki Taka”, - sepse akordi është ende larg. Ose më mirë, nuk është kaq afër sa flitet. Mauro nuk diskutohet, duhet të rinovojë dhe pikë. Nuk është çështje parash, sa merr për shembull, Higuain? Prioriteti ynë është Interi. Klubi më ka kontaktuar në mes të Championsit për të folur, por unë kërkova të prisnim. Pse duhet të bëj unë gjithmonë unë figurë mu..? Pse nuk flitet asgjë për “Suning”? Interi në verë deshi ta shiste Ikardin te Juventusi, por Mauro tha “Jo”. Refuzoi një kontratë më të mirë financiare. Juventusi, për të më bindur, më premtoi se do të ishte partner i Kristiano Ronaldos, që erdhi vërtet. Më thanë se Ikardi do të ishte i vetmi numër 9".

Vanda Nara në "Tiki Taka"

Këto shigjetime të Vanda Narës natyrisht do të ushqejnë polemikat dhe do të ndikojnë për të rritur “pjacën” në fazën finale të bisedimeve për rinovimin e kontratës së Ikardit. Në janar drejtuesit e Interit do të thërrasin Vandën për të firmosur rinovimin deri në 2023-shin. E di këtë gjë edhe vetë bashkëshortja e Ikardit, e cila po luan kartat e saj publikisht. Klubi e ka në plan t’ia rritë rrogën Ikardit dhe rinovimi nuk duhet vënë në diskutim. Por personaliteti i fortë i Vandës dhe ndikimi i sak mediatik po i shqetëson të gjithë në kampin interist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë