Kosova

Test negativ për të hyrë në Kosovë, mbyllen bare, restorante e hotele

Edhe pse vendi ynë po sheh prej dy javës një ulje të ndjeshme të rasteve me Covid-19, Maqedonia e Veriut dhe Kosova fqinje po përballen më valën e tretë të pandemisë, duke bërë që qeveritë e dy vendve të shtrëngojnë ndjeshëm masat kufizuese.

Dy muaj pas zgjedhjeve Kosova ka më shumë se 14 mijë raste aktive ndërsa Maqedonia e Veriut ka shënuar rreth 45 viktima në ditë. Në këto kushte, dy vendet kanë vendosur kufizimet më të ashpra që në nga tetori i vitit të kaluar. Duke filluar që nga e mërkura, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, të gjitha baret dhe restorantet janë mbyllur dhe qytatarët janë këshilluar të punojnë nga shtëpia. Nëse pas dy javësh nuk shënohet një rëni e rasteve ditore, si qeveria e Albin Kurtit ashtu edhe ajo e Zoran Zaev, kanë paralajmëruar se do të vendosin masa të reja.

Masat në Kosovë

Në Kosovë kanë sot hyrë në fuqi masat e reja të kufizimit të cilat përfshinë edhe ndalimin e qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç rasteve urgjente. Restorantet janë të detyraruara të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Ato lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat. Edhe pse kishin paralajmëruar protesta kundër këtij vendimi, restorantet në Prishtinë kanë mbyllur sot pa dallim dyert për klientët.

Po ashtu, të gjithë qytetarët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, i bërë 72 orë para hyrjes në Kosovë. 

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve thelbësor, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë. Të vetmet që do qëndrojnë hapur do jenë tregjet e hapura. Po ashtu të gjitha shkollat dhe universitetet do të kalojnë në mësim online.

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe dhe aktivitete të ngjashme).

Masat e reja janë kundërshtuar nga përfaqësues të bizneseve dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Oda e Tregtisë së Kosovës ka kërkuar që asnjë kufizim apo mbyllje totale e bizneseve të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare. Përfaqësues të Shoqatës së Restoranteve të Kosovës, janë shprehur të shqetësuar me faktin se masat për mbyllje janë ndërmarrë pa pasur një plan konkret për ndihmë financiare.

Masat u morën pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka testuar 147 mostra pozitive me variantit britanik të koronavirusit.

Masat në Maqedoninë e Veriut

Nga e mërkura deri më 20 prill, Maqedonia e Veriut do të mbyllë të gjitha hotelet, si dhe restorantet dhe kafenetë, bujtinat, konviktet dhe objekte të tjera akomoduese. Ky vendim u mor nga Qeveria, në mënyrë që të parandalohet kolapsi i spitaleve si dhe përhapja e varianteve të reja të Covid-19 . Restorantet do të shërbejnë vetëm me shpërndarje nëpër shtëpi, ose shërbimin merre me vete.

Qeveria ka vendosur po ashtu një orë policore që fillon nga ora 20:00 deri në orën 05.00 të mëngjesit. Gjatë kësaj periudhe kohore, lëvizja do të kufizohet.

Qeveria thotë se këto masa do të kufizojnë edhe mbledhjet familjare për festat fetare Bajramin dhe Pashkët.

“Është e vërtetë që variantet e reja janë përhapur dhe se masat që kanë qenë në fuqi deri më tani nuk janë me efektive”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë