Ekspozite

‘Vajza afgane’, fotografitë e Steve McCurry ekspozohen në Tiranë

foto nga ekspozita

Nga Gazeta Si - “Një fotografi mund të shprehë një humanizëm universal, ose thjesht të zbulojë një të vërtetë delikate, duke ekspozuar një copëz të jetës që përndryshe mund të kalonte pa u vënë re”, do të shprehej Steve McCurry.

71 fotografi të fotografit me famë botërore, si një udhëtim në të gjithë botën, vijnë të ekspozuara në Tiranë.

Ekspozita “On Reading” e çelur në Qendrën COD shpalos të gjithë dimensionin e këtij artisti për publikun kryeqytetas.

Steve McCurry tanimë është botërisht i njohur falë shkrepjeve impresionuese që ai ka realizuar, ku nuk lihet pa përmendur edhe fotografia ikonë “Vajza Afgane”, me të cilën ai është vlerësuar me disa çmime.

"Vajza afgane"

Drejtoresha e COD, Eridana Çano thotë për Gazetën “Si” se dëshira për të sjellë në Shqipëri dhe konkretisht në COD, ekspozitën e tij, ka qenë tepër e madhe. Ajo thekson bashkëpunimin e ngushtë me Muzeun Civita në Itali, muze i cili zotëron edhe të drejtat e ekspozitës së Steve McCurry “On reading”.

“Kjo ekspozitë tërhoqi vëmendjen e kryeministrit Edi Rama e të kryebashkiakut Veliaj 1 vit më parë në Bari, duke u bërë shkas që dëshira të materializohej në veprime. Këtu dua të theksoj bashkëpunimin e mrekullueshëm që kemi patur me Muzeun Civita në Itali, muze i cili zotëron edhe të drejtat e ekspozitës së Steve McCurry ‘On Reading’. Ata u treguan menjëherë të interesuar për të sjellë këtë ekspozitë në hapësirat e qendrës COD me të gjithë elementët instalativë që e pasurojnë atë”, shprehet ajo.

Duke e cilësuar si një nga ekspozitat më të rëndësishme në COD për vitin 2022, ajo thotë se publiku shqiptar ka mundësinë të shohë nga afër punën e një prej mjeshtrave të fotografisë siç është Steve McCurry.

Ekspozita vjen e përbërë nga 71 fotografi, të përzgjedhura nga kuratorja Biba Giacchetti, të cilat janë vendosur më pas në instalacionin vizionar të realizuar nga Peter Bottazzi.

Pjesa më e madhe e fotografive tregojnë çaste të njerëzve të përfshirë në lexime të ndryshme, ku edhe pse sfondi shfaq pamje surreale si një xhungël apo një rrënojë, ajo çfarë vërtet tërheq vështrimin është pikërisht përfshirja e këtyre individëve në faqet e shkruara përpara tyre.

Gjithashtu kjo ekspozitë përfshin edhe disa portrete, pjesë e të cilave është edhe fotografia ikonë e Steve McCurryt, “Vajza Afgane”, me të cilën ai është vlerësuar me disa çmime.

Ajo veçon një nga punët që e ka impresionuar më së shumti në morinë e fotografive të McCurryt.

“Është portreti i një të moshuari, realizuar në Kashmir, i cili ka një vështrim tejet të mprehtë. Por përtej kontrasteve të fuqishme të mjekrës së tij të kuqe e çallmës së gjelbër, ky zotëri i panjohur bëhet befas familjar, pasi sa më shumë e vështron aq më shumë të duket sikur e njeh”, shprehet ajo, ndërsa shton se “mendoj se kjo është edhe aftësia e vërtetë e Steve McCurryt, ai fotografon shpirtin”.

Ndonëse cdo ekspozitë është një eksperiencë më vete dhe të jep ndjesi të ndryshme, sipas Çanos në rastin e ekspozitës “On reading” është evidentuar pikërisht nevojshmëria që më pas kthehet në dëshirë, e vizitorëve për të ‘lexuar’ me kujdes secilën prej fotove që qëndrojnë pezull.

Instalacioni dhe ndriçimi kanë pasuruar edhe më shumë këtë ekspozitë, duke përfshirë këdo që hyn në COD në një hartë 3-dimensionale me imazhe nga e gjithë bota.

Ajo thotë se kjo ekspozitë do të merrte një tjetër dimension nëse do të ishte i pranishëm edhe Steve McCurry-n në Shqipëri.

“Dëshira është e madhe, ndaj sigurisht që ne do të përpiqemi ta sjellim atë këtu me anë të një ftese në bashkëpunim me Muzeun Civita”.

Nëse kjo realizohet dhe ai e ka të mundur të jetë i pranishëm, Çano thotë se “McCurry do ta shfrytëzojë këtë mundësi edhe për të pasuruar arkivin e tij me disa shkrepje origjinale nga vendi ynë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë