Futboll

Uzuni udhëheq Grandën me një dopietë, emri i del te Lidsi dhe Gallatasaraji

Gazeta Si – Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni, shënoi sot të dy golat në fitoren 2-0 të Granadës ndaj Andorrës në kampionat. Futbollisti beratas realizoi dy herë brenda 3 minutash, pas pasimeve të Kalehon.

Pas kësaj fitoreje Granda mban vendin e tretë në renditje, me pikë të barabarta me Levanten e vendit të tretë, nga 41. Uzuni kthehet pas dëmtimit dhe menjëherë u shfaq protagonist në fushë me gola. Ai është ngjitur në kuotën e 14 golave në kampionat.

Uzuni feston me Kalehon golat ndaj Andorres. Gazeta Si, 28 janar 2023

Dhe janë pikërisht këta gola dhe forma e mirë që po kalon këtë sezon që e kanë vënë në vitrinë sulmuesin kuqezi, tashmë i kërkuar nga skuadra të mëdha europiane. Në Spanjë shkruajnë se Uzuni po ndiqet me interes në Turqi dhe në Angli.

Gjithmonë sipas shtypit spanjoll, Gallatasaraji, klubi i madh turk, është vënë pas futbollistit shqiptar. Po ashtu, Lidsi në Premier Ligë po kërkon një sulmues anësor dhe Uzuni është një alternativë për të.

Myrto Uzuni, me këtë ecuri, me siguri në verë do të kalojë në një klub tjetër më të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë