Kombetarja

Uzuni është gati: Për kombëtaren luaj kudo

Në ditën e dytë të grumbullimit të kombëtares në qytetin e Durrësit, në konferencë për shtyp kanë dalë, sulmuesi Myrto Uzuni dhe mbrojtësi Frederik Veseli. Sulmuesi beratas që vjen për herë të dytë në ekipin përfaqësues ka thënë se në ndeshjen me Skocinë përveç lojës së mirë, do të nevojitet edhe fati për të marrë fitoren. Uzuni ka folur për gjendjen e mirë që po kalojnë një pjesë e mirë e lojtarëve të repartit të sulmit dhe shpreson që edhe në këtë ndeshje të zhbllokohen.

“Sulmi ka lojtarë në formë, edhe Grezda ka shënuar, edhe Kaçe shënoi fundjavën e shkuar. Mendoj se golat do vijnë, nëse luajmë ashtu si luajtëm kundër Izraelit. Ishte një ndeshje shumë e mirë, por fati nuk ishte me ne. Nëse luajmë sërish ashtu, jam i bindur që do të fitojmë ndaj Skocisë”, tha Myrto Uzuni.

Më tej në fjalën e tij sulmuesi 22-vjeçar ka shprehur gatishmërinë se mund të luaj në cilindo pozicion që do i kërkoj trajneri Panuçi. Për të forca më e madhe e Shqipërisë është grupi dhe se nëse do luajmë të bashkuar edhe në këtë ndeshje, mund të dalim me rezultat pozitiv.

“Ndihem shumë mirë, por vëmendja nuk është tek unë, por te grupi. Shqipëria ka pikën e vet më të fortë grupin, gjithnjë ka qenë kështu. E ka në dorë trajneri, unë jam gati të luaj kudo, nëse i vlej skuadrës. Është një kënaqësi e madhe kur shënon në nivel klubi, por me kombëtaren ka një vlerë të shumëfishtë, një lumturi e madhe për vete dhe për gjithë kombin.”- u shpreh sulmuesi kuqezi.

Në fund Uzuni ka folur edhe për prezencën e tifozëve në stadium, duke thënë se numri i tyre në shkallët e “Loro Boriçit” varet edhe nga performanca e skuadrës në fushën e lojës.
“Tifozët nuk kanë qenë të shumtë në ndeshjet e fundit, por varet edhe nga ne. Nëse kthehemi ku duhet me rezultate, edhe tifozët do të jenë të shumtë në të ardhmen.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë