Futboll

Uzuni drejt Spanjës, Grezda pranë kalimit në Francë

Në këto ditë të fundit të merkatos, janë të shumtë futbollistët e kombëtares që ende nuk kanë gjetur sistemim në ekipet e tyre. Hysaj është në krye të listës që përflitet këto muaj për tu larguar nga Napoli, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Me Sadikun dhe Veselin që për momentin janë ‘në ajër’ pa një ekip të ri, lajme të reja nga merkato vijnë për sulmuesit, Myrto Uzuni dhe Eros Grezda.

Myrto Uzuni me Lokomotiven e Zagrebit ne kampionatin kroat - Gazeta Si, 8 gusht 2019

Uzuni që vitin e shkuar bëri hapin e madh në karrierë, duke u larguar nga Laçi për te Lokomotiva e Zagrebit, këtë verë mund të ndryshojë sërish ekip. Nuk bëhet fjalë për një lëvizje brenda kampionatit kroat, siç është folur më herët, por një kalim shumë të bujshëm në ligën e parë spanjolle. Mediet iberike flasin për një interesim të Majokrës për 24-vjeçarin shqiptar në ditët e fundit. Klubi spanjoll që ka siguruar ngjitjen në elitë këtë vit, synon që të përforcohet sa më shumë me qëllim për të pasur një sezon sa më të suksesshëm dhe të mos diskutojë sërish rënien në La Liga 2. Merkato në Spanjë është e hapur deri më datë 31 gusht dhe me siguri që në ditët dhe javët në vazhdim do të ketë zhvillime në lidhje me këtë kalim të mundshëm të Uzunit në të njëjtin kampionat me Mesin dhe Hazard.

Grezda feston nje gol te shenuar me fanellen e Reinxhers - Gazeta Si, 8 gusht 2019

Brenda një viti do të ndryshojë ekip edhe Eros Grezda. Sulmuesi gjakovar nuk e ka gjetur veten në Skoci me Reingjersin duke mos dhënë atë që pritej dhe tashmë është jashtë planeve të Stiven Zherrard. Për Grezdën është hapur një mundësi për të kaluar në ligën e parë franceze. Atje e kërkon Brest, e cila është e gatshme ta marrë sulmuesin shqiptar në huazim me të drejtë blerje. Vetë gjakovari e dëshiron këtë lëvizje, pasi kërkon më shumë minuta në këmbë, gjë që te Reinxhers nuk mund ta ketë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë