Ushqim

Ushqimet që duhet të hani për një shëndet më të mirë mendor

Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se tejzgjatja e pandemisë mund të sjellë një krizë në shëndetin mendor.
Edhe pse terapia dhe ilaçet për stresin dhe ankthin janë shpesh të nevojshme, ushqimet që hani gjithashtu mund të luajnë një rol në mirëqenien tuaj. Një sondazh i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë i bërë në mars zbuloi se 36% e Amerikanëve ndjenin që ekzistenca e pandemisë kishte një ndikim serioz në shëndetin e tyre mendor. Njerëzit shqetësoheshin më së shumti për financat e tyre, rrezikun e infektimit së tyre ose të një anëtari të familjes nga virusi dhe mundësinë e vdekjes.
E gjithë pasiguria përreth pandemisë ka rritur stresin dhe ankthin, duke bërë që njerëzit të shohin të nevojshëm përdorimin e ilaçeve antidepresive dhe ilaçet kundër pagjumësisë.
Ekspertët thonë se është e rrezikshme për të trajtuar ushqimin si një zëvendësim për ilaçet, ngrënia për shëndetin e trurit tuaj mund të ndihmojë në lehtësimin e ndikimit të ankthit, depresionit dhe madje edhe çrregullimit të stresit post-traumatik.
“Gjatë Covid-19 dhe çdo gjëje tjetër që qëndron pas tij, ne parashikojmë një rritje të ndjeshme të këtyre çrregullimeve, veçanërisht ankthit, depresionit dhe stresit.”  tha Uma Naidoo, psikiatre.
Ajo thotë se njerëzit e shohin ushqimin si një mënyrë për të rënë në peshë apo për arsye shëndetësore por, ndërsa koronavirusi vazhdon të jetë në mesin tonë, ngrënia për shëndetin mendor mund të jetë po aq e rëndësishme.

Imazh ilustrues

Lidhja zorrë-tru
Zorra është quajtur “truri i dytë”.
Baza e “romancës së trurit me zorrën”, siç thotë Naidoo është nervi vagus, një pjesë qendrore e sistemit nervor që kontrollon gjendjen shpirtërore, reagimin imunitar, tretjen dhe funksione të tjera trupore. Është gjithashtu një lidhës kryesor i trurit dhe traktit gastrointestinal. Sistemi nervor qendror prodhon dopaminë, serotonin dhe kimikate të tjera që rregullojnë gjendjen shpirtërore dhe përpunojnë mendimin dhe emocionet. Mungesa e serotoninës, në veçanti, mund të shkaktojë ankth dhe depresion dhe rreth 90% e receptorëve të serotoninës gjenden në zorrë. Lidhja zorrë-tru shpjegon pse ajo që hamë ndikon në shëndetin tonë mendor pasi në zorrë ndodhen bakteret e mira dhe bakteret e këqija që në varësi të asaj që ne hamë, reagojnë, çojnë sinjale në tru dhe për pasojë ne kemi gjendje të ndryshme mendore.
“Ushqimet specifike kanë ose një efekt pozitiv ose një efekt negativ,” tha Naidoo.
Deanna Minich, mjeke dhe nutricioniste gjithashtu thekson rëndësinë e dietës për të kontrolluar inflamacionin në trup.

Imazh ilustrues

Ushqime që ndihmojnë në shëndetin mendor
Shumica e lëndëve ushqyese kryesore të nevojshme për shëndetin e trurit dhe zorrëve gjenden natyrshëm në ushqime, kështu që është më mirë të zgjidhni ushqime bio, tha Minich. Për rezultate më të mira, një nutricionist mund ta përshtatë dietën tuaj me nevojat tuaja individuale të shëndetit mendor. Naidoo tha se ekzistojnë disa lloje ushqimesh për të cilët të gjithë kanë nevojë më shumë për të ndihmuar në uljen e stresit dhe ankthit.
Kosi së bashku me lakrën turshi, dhallin, disa lloje djathrash, fasulet, tërshërën, hudhrën, qepën janë ato lloj ushqimesh që shumica nuk i pëlqejnë por janë shumë të nevojshme dhe e ndihmojnë zorrën të mos ndihet e fryrë.

Frutat dhe perimet përmbajnë vitamina, minerale dhe antioksidantë. Për shembull, magnezi, që gjendet në avokado, arra dhe salmon dhe vitamina C, që gjendet në brokoli, portokall dhe lakër jeshile, mund të ndihmojë në uljen e ankthit. Frutat dhe perimet janë gjithashtu burime natyrore të fibrave, të cilat mund të lehtësojnë ankthin por vetëm rreth 10% e të rriturve amerikanë konsumojnë 1 ose 2 fruta në ditë dhe 2 deri në 3 perime në ditë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Ata janë me të vërtetë ushqim i mirë për bakteret e zorrëve”, tha Naidoo.
Kur bakteret e zorrëve ushqehen nga këto lëndë ushqyese, ato lulëzojnë dhe duke lulëzuar, ato ndihmojnë gjendjen tuaj shpirtërore, ju ndihmojnë të ndiheni më mirë.

Imazh ilustrues

Erëzat
Naidoo tha se një nga kombinimet më të mira të erëzave është shafran i Indisë me një majë piper të zi. Piperi i zi aktivizon përbërjen e kurkuminës në shafranin e Indisë, e cila ka përfitime antioksiduese dhe anti-inflamatore.
“Përdorimi i shafranit të Indisë me një lugë mjaltë ose në supë është shumë e thjeshtë dhe e shëndetshme. Ju duhet vetëm një majë lugë çaji në ditë me piper të zi dhe shafran që të luftoni ankthin, depresionin dhe tensionin.” tha Naidoo.

Imazh ilustrues

Ushqimet që mund të dëmtojnë shëndetin mendor
Ushqimet e skuqura, ushqimet e përpunuara, yndyrnat, nitratet dhe ushqimet me shumë kripë dhe me shumë sheqer mund të përkeqësojnë depresionin, ankthin dhe stresin.
“Nëse po hani ushqime të përpunuara dhe ushqime të shpejta çdo ditë, kjo në thelb po bën që bakteret e këqija të zorrëve të lulëzojnë dhe kjo është kur filloni të hasni probleme me stresin dhe depresionin”, shpjegoi Naidoo.
Ajo tha se kafeina dhe alkooli gjithashtu mund të ju bëjnë të ndiheni më keq mendërisht, por zakonisht janë në rregull nëse i përdorni aq sa duhet. Pirja e 400 mg në ditë ose më pak kafe nuk ndikon në gjendjen mendore.

Si të filloni të hani për shëndetin tuaj mendor

Për ta zhvendosur dietën tuaj duke pasur parasysh shëndetin mendor, Naidoo sugjeron që të filloni që në gjëra të vogla. Përpjekja për të ndryshuar shumë shpejt mund të ketë rezultate jo të mira.
“Ndryshimi i ngadaltë dhe i qëndrueshëm me kalimin e kohës do të fillojë të ndërtojë një zorrë të shëndetshme dhe në thelb kjo përkthehet në shëndet të mirë të trurit.” tha ajo.
Filloni me një vetëkontroll të dietës.
Shkruani atë që keni ngrënë gjatë 24 deri në 48 orëve të fundit, rrethoni ushqimet që nuk janë të shëndetshme dhe më pas vendosni për një ndryshim të thjeshtë që mund të bëni. Megjithatë, nuk keni pse të hiqni dorë domosdoshmërisht nga disa prej ushqimeve tuaja të preferuara edhe pse mund të jenë jo aq të shëndetshme.
Naidoo thotë se nuk duhet patjetër të hash çdo gjë të shëndetshme. Nëse ju e doni akulloren, mund ta hani atë një ditë që jeni pushim. Nuk quhet mashtrim, është thjesht një kënaqësi, hajeni dhe vazhdoni përpara.
Se sa kohë do të marrin ndryshimet për t’ju bërë të ndiheni më mirë varet.
Mund të jetë diku nga disa orë në disa ditë ose muaj. Marrja e hapave për të përmirësuar dietën për shëndetin tuaj mendor është veçanërisht e rëndësishme sot pasi efektet e pandemisë do të vazhdojnë. “Shqetësimet rreth vendeve të punës, financave, pasigurisë ushqimore, boshllëqeve në arsimimin e fëmijëve dhe më shumë do të sjellin një dëm dhe diçka të tillë mund ta zbusim me një dietë të shëndetshme.” thotë Minich.
Burimi: HuffingtonPost. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë