Ekonomi

Ushqimet në vend 21% më shtrenjtë se 1 vit më parë. S’ka ulje për produktet e shportës

Nga Gazeta ‘SI’ - Inflacioni në dhjetor 2023 u rrit përsëri duke u rikthyer në shifrën e 4%. Krahasuar me muajin paraardhës, rritja është udhëhequr nga grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, 1.1%, pijet alkoolike dhe duhani me 1% dhe hotele/restorante me 0.2%.

Nga dhjetori i 2022-shit, inflacioni raportohet në rënie (7.4%) por kjo vetëm nga ulja e fortë e çmimeve të naftës që zënë dhe një peshë të konsiderueshme në këtë tregues. Grupet e tjera kanë vijuar shtrenjtimin, me ushqimet dhe pijet 6.7%, argëtimi dhe kultura 5.4%, qira, energji, ujë me 2.6% etj.

Shifrat e rritjes janë të frikshme të ndara sipas nëngrupeve ushqimore. Zarzavatet dhe patatet ju shitën pothuajse 21% më shtrenjtë se një vit më parë, frutat 10% më shtrenjtë dhe grupi i “qumësht, djathë dhe vezë” me 6.7% më shtrenjtë.

Ndonëse për muaj me radhë gjatë 2023-shit inflacioni në Shqipëri u raportua me ulje, çmimet e produkteve, përveç naftës, vetëm janë shtrenjtuar. Spiralja që nisi dhe u justifikua me luftën në Ukrainë, nuk ka të ndalur as dy vite më vonë. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4,8% nga 6,7% që ishte në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë