Irena Beqiraj

Universiteti që do të shkoni nuk përcakton atë që do të jeni!


Caroline Sacks gjithmonë kishte ëndërruar të bëhej shkencëtare. Që në moshë të re, Sacks shkëlqente me rezultatet e saj akademike, veçanërisht në shkencat ekzakte. Duke u rritur, iu forcua më tej interesi për shkencën sidomos për biologjinë. Ajo e përfundoi shkollën e mesme si studente e shkëlqyer. 

Kur vendosi të shkojë në Universitet, ajo kishte mundësi të studionte në universitetin Brown-it, një universitet i Ivy League ose në universitetin publik të Maryland-it.

Ashtu siç do të bënte çdo student ambicioz i mbështetur nga prindër edhe më ambicioz, ajo zgjodhi universitetin prestigjoz të Ivy League . Por e reja Sacks në Brown, u dekurajua jo vetëm nga notat e para të saj, por edhe nga ndjenja se ajo nuk ishte aq e aftë akademikisht krahasuar me bashkëmoshatarët e saj. Duke mos u përballur dot me zhgënjimin ajo vendosi të braktisë studimet në biologji bashkë me to dhe ëndrrën e saj për t’u bërë shkencëtare.

Sot, teksa hedh vështrimin prapa në kohë,Sacks është e bindur se po të kishte ndjekur universitetin e Maryland tani do të ishte shkencëtare. 

Historia e saj, të cilën e kam lexuar tek libri Malcolm Gladwell "Te Luftosh Gjigandët”, m’u kujtua ndërsa pas 24 vitesh më telefonon një ish-shok klase i gjimnazit, i cili kërkoi një këshillë për Universitetin që duhet të zgjidhte e bija e cila po ashtu është nxënëse e shkëlqyer.

U përpoqa t’i shpjegoj që më shumë sesa dikush që nominon cili është universiteti më i mirë për një degë të caktuar, është e rëndësishme ku studenti “përshtatet” më mirë. Madje nëse studenti nuk përshtatet, avantazhi kthehet shpejt në disavantazh.

Studimi i Universitetit të Standford i titulluar “Përshtatja përmbi Renditjen” tregon sesi mijëra studentë, njësoj si Sacks, pësojnë krizë identiteti, kur për herë të parë në jetën e tyre, nuk janë në krye të klasës. Zhgënjimi krijon stres dhe presion, duke penguar zhvillimin e tyre personal, pasi vetëbesimi i njeriut dhe kofidenca e tij mbështeten kryesisht tek krahasimi me grupin ku bën pjesë.

 Ndaj shpesh është demoralizuese të jesh një "peshk i vogël në një det të madh.” Gjërat që shoqëria i sheh si prestigjioze dhe të kërkuara nuk janë gjithmonë aq të dobishme sa duken. Më këtë nuk dua të them që një universitet i mirë nuk ndihmon në karrierën profesionale por faktorët që e përcaktojnë suksesin e mëtëjshëm gjenden definitivisht tek karakteristikat individuale edhe pikërisht tek besimi tek vetja, kofidenca, këmbëngulja edhe motivimi.

Emri apo prestigji i universitetit nuk është as parakusht për sukses dhe as garanci për të.

Përshembull, 10 kompanitë e para të 500 kompanive të Fortune drejtohen nga njerëz që kanë përfunduar studimet në universitete shtetërore amerikane. Po ashtu, po të shohësh listën e kompanive private me rritjen më të shpejtë në Amerikë, rezulton se nga 10 kompanitë e renditura të parat,vetëm dy CEO (Keith Cooper–CEO i Revolucionary Clinics–dhe Colin walsh–CEO i Varo Bank), kanë përfunduar studimet në Universitetet e Ivy League.

Për shumë prindër dhe fëmijët e tyre, hyrja në një universitet të mirë, nuk është thjesht një sfidë, por një qëllim në vetvete. Një po ose jo nga Harvard, Duke, LSE, Queen Mary, apo të tjerë universitete, shihet si masa përfundimtare e vlerës së një të riu, një vendim detyrues , një pararojë e pakundërshtueshme e sukseseve ose zhgënjimeve që do të vinë më pas për të.

Në fakt e vërteta rezulton krejt ndryshe.

Le t’u mësojmë të rinjve tanë që, “Universiteti ku do të shkoni, nuk do të përcaktojë atë që ju do të jeni”, ajo është brenda jush.


Copyright © Gazeta “Si”