Komunitet

Unioni Global i Industrisë letër Ramës: Ndërhy për naftëtarët!

Kauza e naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit që janë ngujuar prej ditësh në grevë urie me kërkesën e marrjes së pagave të prapambetura ka dalë përtej kufijve të Shqipërisë.

“IndustriAll Global Union”, një sindikatë ndërkombëtare që mbron të drejtat e punonjësve në sektorët e nxjerrjes së mineraleve dhe naftës ka reaguar zyrtarisht dhe përmes një letre publike, drejtuar edhe Kryeministrit Edi Rama kërkon nga Qeveria shqiptare shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për të gjithë punonjësit e rafinerisë.

“Punonjësit e rafinerisë së naftës së Ballshit janë përballur me mospagesa që prej vitit 2018. Ata kanë detyrime për të marrë në rastin më të paktë për 10 muaj. Punonjësit janë në protesta që prej muajit prill dhe kjo situatë është e papranueshme”, thotë “IndustriAll Global Union”.

Në letrën dërguar Kryeministrit Edi Rama, Unioni i kërkon që të ndërhyjë për të zgjidhur këtë çështje dhe të sigurojë që punonjësit e rafinerisë të marrin plotësisht pagat e prapambetura.

“Në prill ju kërkuam personalisht që të ndërhynit për të zgjidhur këtë konflikt. Mungesa e progresit në këtë drejtim shtyu punonjësit që të shkojnë në grevë urie. Kjo situata për ne është e papranueshme dhe shkelje të qartë të Kodit të Punës shqiptar dhe standardeve themelore ndërkombëtare të trajtimit të punonjësve”, vijon letra.

“IndustriAll Global Union” e mbyll letrën me shpresën se çështja do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Ky union thotë se nën ombrellën e tij ka me dhjetra sindikata punonjësish, kryesisht në fushën e nxjerrjes së hidrokarbureve dhe minierave dhe se mbron interesat e mbi 50 milionë punonjësve nga shfrytëzimi i kompanive private dhe shtetërore.

Ndërkohë, në lidhje me protestën e naftëtarëve, Kryeministri Edi Rama u ka bërë vazhdimisht thirrje atyre që të lënë grevën e urisë për të nisur bisedimet. Ai e cilëson grevën si formë presioni dhe ultimatumi që nuk funksionon as me të dhe as me Qeverinë që ai drejton.

Rama thotë se bëhet fjalë për një marrëdhënie mes kompanive private dhe se ndërhyrja e shtetit është e kufizuar për shkak të kësaj marrëdhënieje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë