Futboll

Ultimatumi i FSHF-së, presion klubeve që ajo vetë i çoi në “krim”

Deri më 31 korrik, 4 klube të Superiores duhet të kenë shlyer të gjitha borxhet, në mënyrë që të mos rrezikojnë licencimin për kampionatin e ardhshëm. Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari kanë borxhe të prapambetura për arsye të ndryshme dhe, sipas ultimatumit të fundit të FSHF-së, kanë edhe 3 javë afat për t’i zeruar. Politikat e reja të FSHF-së duken më të ashpra se kurrë më parë në këtë drejtim dhe mbetet për t’u parë se sa i vendosur do të jetë ky institucion për ta çuar deri në fund misionin për stabilizimin financiar të klubeve shqiptare. Ultimatumi i fundit duket në fakt një formë presioni për të vënë sadopak rregull, sepse në Federatë e dinë shumë mirë se çfarë mundësish financiare kanë klubet tona në këtë moment.

Shumë mirë që sektori i licencimeve ka vendosur që klubet tona të kontrollohen çdo tre muaj, nëse kanë apo jo detyrime të pashlyera financiare. Nëse një klub ka borxhe, merren masa dhe situata mund të zgjidhet, ose të paktën nuk do të precipitojë më keq. I gjithë problemi është se të paktën 3 nga klubet që u është vënë ultimatum nga FSHF-ja, Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari, tri nga skuadrat më me emër në futbollin shqiptar, e kanë shumë të thellë “gropën” e borxhit aktualisht. Bëhet fjalë për shifra të larta, që shkojnë në mbi një milion euro, shifra të pamundura për t’u likuiduar nga asnjë prej klubeve të përfshirë në “krimin”, ku edhe vetë institucioni që drejton futbollin në vend, ka dorën e vet.
Tirana, për shembull, i detyrohet rreth 700 milionë lekë një personi të vetëm: ish-presidentit të saj Metush Seferi. Një borxh i mbartur prej kohësh, i pamundur për t’u shlyer deri më 31 korrik. Vllaznia dhe Flamurtari po ashtu, kanë borxhe të mëdha të akumuluara, ndaj dhe nuk po i hapet udhë privatizimit të tyre aq shumë të kërkuar. Kanë borxhe ndaj individëve, lojtarëve dhe ish-lojtarëve të tyre vitet e fundit, por edhe ndaj institucioneve, kryesisht ndaj Tatimeve.

Drejtuesit më të lartë të FSHF-së gjatë një mbledhjeje

Pse FSHF-ja ka dorë në këtë “krim”? Në qëndrimet e saj të fundit për çështjen e licencimit të klubeve përmendet shpesh togfjalëshi “nuk ka më tolerim”, çka do të thotë se drejtuesit e FSHF-së kanë “mbyllur njërin sy” më parë, ndoshta për vite me radhë, për këtë problem të rëndësishme. Mund të ketë qenë një favorizim i momentit licencimi i klubeve me borxhe, por në thelb ka qenë thjesht një “marrje në qafë” e tyre nga vetë FSHF-ja, që duhet të vërë rregull në futbollin shqiptar dhe për më tepër duhet t’i trajtojë të gjithë njësoj. Ai tolerim, që me siguri është bërë disa herë dhe jo vetëm një herë, ka ndikuar drejtpërdrejt në thellimin e “gropës”, për të mbërritur në pikën, ku likuidimi total është i pamundur për 4 klubet e “mbytur” në borxhe. Nëse Federata do të kishte zbatuar rregulloren me përpikëri që në fillim, klubet e përmendura, nëse nuk do të ishin të shëndoshë financiarisht, të paktën nuk do të kishin borxhe. Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari, që kanë më shumë borxhe, do të kishin vuajtur më pak në momentin e parë dhe sot do të ishin të pastër. Tani Federata u ka vënë “pistoletën te koka” për një “krim”, - që ajo vetë ka pasur dijeni që në hapat e parë, - dhe nuk dinë nga t’ia mbajnë.

Nga një ndeshjes mes Tiranës dhe Luftëtarit, dy klube me borxhe

A ka zgjidhje? Ka vetëm një zgjidhje, gjithmonë duke marrë të mirëqenë variantin se këtë herë FSHF-ja vërtet nuk do të tolerojë, pavarësisht ndërhyrjeve nga jashtë. Zerimi i të gjitha borxheve deri më 31 korrik bie poshtë, sepse klubet nuk e kanë likuiditetin për ta bërë këtë gjë. Nëse do ta kishin, nuk do të kishin arritur deri këtu. Zgjidhja është vetëm arritja e një marrëveshjeje me palët e treta, pra me ata që klubet u detyrohen financiarisht. Katër klubet borxhlinj duhet të paraqesin marrëveshje zyrtare me palët e treta, ku vërtetojnë nisjen e shlyerjes financiare, që më pas të marrin “ok”-in nga Federata për të marrë pjesë në aktivitetet kombëtare.

Në tri javë kohë mund të negociohet dhe të gjendet mirëkuptimi për shlyerjen me këste të borxheve të mëdha që katër klubet në fjalë kanë akumuluar. Këtë radhë duket se klubet e kanë lakun në fyt, pasi FSHF-ja ka dalë publikisht në qëndrimin e saj të prerë, e vënë në presion edhe nga organizmat ndërkombëtarë të futbollit. Megjithatë, me çuditë “alla shqiptare” vetëm koha do të tregojë se kush do ta fitojë “mundjen e dorës”. Mund të duket e dhimbshme që të mos licencohen klube si Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari, por është momenti për të vepruar me “dorë të hekurt”, për të ndërtuar të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë