Shendet

Ulja e temperaturave, ISHP identifikon 3 viruse në qarkullim: Covid-19, RSV dhe virusi respirator sincicial po shtojnë pneumonitë

Nga Gazeta Si - Me ndryshimin e temperaturave, janë shtuar rastet e virozave dhe pneumonive të cilat kanë prekur pothuajse të gjitha moshat duke nisur nga fëmijët e deri tek të moshuarit.

Burime zyrtare në Institutin e Shëndetit Publik thonë se ndryshe nga Europa, Shqipëria ende nuk ka izoluar raste të gripit. Por në vendin tonë qarkullojnë me intensitet të lartë Covid-19, virusi RSV dhe virusi respirator sincicial të cilat kanë shkaktuar rritje të rasteve me pneumoni.

Sipas burimeve për Gazetasi.al, të dyja viruset shfaqin pothuajse shenja të njëjta, por problem paraqet pneumonia që shkakton virusi RSV apo ai sincicial.

Për shkak të mungesës së kapaciteteve për përcaktimin e saktë të virusit, Covid-9, RSV apo sincicial, çdo rast që paraqitet në qendrat shëndetësore, me simptomat e një gripi siç janë kolla e vazhdueshme apo vështirësia në frymëmarrje, trajtohet nga mjeku i familjes me antibiotikë për të ndaluar inflamacionin në mushkëri.

“Në ambulanca janë shtuar vizitat, ku zakonisht janë fëmijët dhe prindërit së bashku të infektuar. Fëmijët janë kryesisht frekuentues të çerdheve apo kopshteve dhe kanë infektuar dhe prindërit. Një rast specifik ishte vajza 3-vjeç dhe nëna e saj që kishin të njëjtat simptoma, frymëmarrje të shpejta, kollë e vazhdueshme”, thonë burimet për Gazetasi.al.

Virusi është shkaktari kryesor i bronkiolitit tek fëmijët, kryesisht tek fëmijët nën 10-12 muajsh dhe është shkaku më i shpeshtë i shtrimit në spital në këtë grupmoshë.

Mjekët specialistë thonë se një nga shenjat e para të prekjes nga virusi sincicial është humbja e oreksit që është shenja e parë që fëmija po përkeqësohet.

“Dyshimet e para janë për prekje nga virusi sincicial pasi të dyja kishin frymëmarrjen e zhurmshme ose frymëmarrjen me një fërshëllimë të dëgjueshme. Simptomat e virusit sincicial shfaqen 2-6 ditë pas kontaktit dhe kohëzgjatja mesatare e bronkiolitit është 5-7 ditë”, thonë mjekët specialistë.

Sipas tyre, shenjat që nuk duhen anashkaluar janë edhe pauzat e gjata të frymëmarrjes të cilat mund të jenë një ndërlikim i infeksionit edhe pa një pasqyrë të qartë të bronkiolitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë