Ekonomi

Ulet ritmi i rritjes ekonomike, me sytë nga qielli

Ekonomia shqiptare ka ulur ndjeshëm ritmet e rritjes. INSTAT ka raportuar se Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 2,31 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2018, nga 2,21% që u rrit në tremujroin e parë të këtij viti.

Teksa ekonomia është rritur me 4,06% gjatë 2018-ës, rritje më e lartë në 10 vitet e fundit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se sektorët që kanë ndikuar negativisht në uljen e ritmit të rritjes ekonomike për tremujroin e dytë të 2019-ës, janë sektori energjetik dhe ai i ndërtimit, që respektivisht janë ndikuar nga mungesa e rreshjeve dhe projekti TAP.

“Ndikimin kryesor në rënien e ekonomisë për tre muajt e dytë të 2019-ës, e kanë dhënë Energjia dhe Industria e Prodhimit të produkteve metalike, të cilat kanë shënuar një rënie përkatësisht me 27,54 % dhe 4,79 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati rënie me 1,75 %, i ndikuar kryesisht nga kompanitë e lidhura me projektin TAP”- citon INSTAT.

Kurse aktivitete që kanë pasur rritje kanë qenë Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbim ushqimor, Informacioni dhe Komunikacioni, Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit. Po ashtu kanë shënuar rritje edhe Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme e aktivitetet e Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë. Rritja ekonomike e llogaritur sipas konsumit final të popullatës, që përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,85 %.

Konsumi final i qeverisë u rrit me 4,36 %. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u ul me 0,92 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë