Ekonomi

Ulet papunësia, por ndasitë ekonomike në Eurozonë ende të mëdha

Papunësia në Eurozonë gjatë muajit nëntor arrin nivelin më të ulët prej më shumë se një dekade, por normat e papunësisë në Europën Jugore mbeten të larta.
Ky është një sinjal se shenjat e ngadalësimit ekonomik në zonën euro nuk ka të ngjarë të kthehen shpejt në një recesion.

Megjithatë edhe pse me më shumë se pesë vite rritje ekonomike, diferenca të mëdha mbeten mes vendeve të zonës ekonomike të përbashkët, me papunësinë 3.3% në Gjermani dhe 14.7% në Spanjë.

Ekonomistët vlerësojnë se rritja ekonomike në Eurozonë u ngadalësua duke shënuar 1.9% në vitin që lamë pas nga 2.4% në 2017. Por të dhënat e publikuara të mërkurën treguan se edhe pse me një rritje modeste, ekonomia vazhdoi ende të krijojë vende pune me mbylljen e 2018-ës.

Agjencia e Statistikave të Bashkimit Europian tha se numri i të papunëve ra në 90,000 prej tetorit, duke ulur nivelin e papunësisë në 7.9% nga 8% dhe duke e lënë atë në nivelin më të ulët që nga tetori i 2008-ës, një muaj pas falimentimit të "Lehman Brothers" që sinjalizoi intensifikimin e krizës financiare globale.

Eurostat uli vlerësimin e papunësisë në tetor në 8.1%. Rënia e papunësisë është përhapur në ekonomitë më të mëdha të Eurozonës, përfshirë Italinë, e cila përjetoi një rritje të papunësisë në muajt shtator dhe tetor.

Rënia e nivelit të papunësisë në nëntor ishte një surprizë dhe një lajm i mirë i rrallë nga ekonomia e Eurozonës, që vëzhgime të ndryshme biznesi dhe të dhëna të tjera të raporteve të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, sugjerojnë se do të vazhdojë të ulet këtë vit.

Por ndërsa niveli i papunësisë së Gjermanisë ishte më i ulët se niveli i papunësisë së SHBA-ve, në Europën Jugore ku borxhi i Eurozonës dhe kriza bankare goditi rëndë, tabloja ishte shumë më e ndryshme. Përveç kësaj niveli i papunësisë në Spanjë ishte14.7%, në Greqi 18.6% dhe në Itali 10.5%. Në secilin prej këtyrë vendeve, gati një e treta e njerëzve nën moshën 25 vjeç ishin të papunë.

Rënia e papunësisë do të mbështesë shpenzimet e konsumatorëve dhe do të ndihmojë në nxitjen e një ekonomie që vuajti nga një dobësim i eksporteve gjatë vitit 2018. Gjithashtu do t'i japë një shtysë Bankës Qendrore Europiane për të vendosur inflacionin në objektiv gjatë viteve të ardhshme. Politikbërësit i kanë mbështetur shpresat e tyre tek rritja e pagave.

Rënia e fortë e kohëve të fundit në besimin e biznesit në të gjithë zonën euro ngre pyetje rreth asaj se sa do të jetë koha e uljes së papunësisë. Një vrojtim i bizneseve të Eurozonës i publikuar javën e kaluar zbuloi se ndërsa bizneset rritën numrin e punonjësve të rinj gjatë dhjetorit, e bënë me një ritëm më të ngadaltë që prej fillimit të vitit 2017. “Edhe pse 2018 ishte zhgënjyese në terma të rritjes ekonomike, bizneset duket se po i përshtatin nevojat e tyre të punësimit në raport me situatën,” tha Bert Colijn, një ekonomist tek banka ING. “Kjo mund të shkaktojë rënien e papunësisë në muajt e ardhshëm, duke dobësuar bazën për rritje të konsumit të ngurtë.”

Paul Hannon/ *Burimi: Wall Street Journal


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë