Shendet

Ulet jetëgjatësia në SHBA, një vit e gjysmë më e shkurtër për shkak të Covid 19

Jetëgjatësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ulet me një vit e gjysmë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Këtë e ka zbuluar Qendra Kombëtare e Statistikave të Shëndetit siç raportohet nga gazeta prestigjioze “Washington Post”.

Është rënia më e madhe, në vetëm një vit, që nga Lufta e Dytë Botërore. Më i prekuri është komuniteti afrikano-amerikan, i cili humbet 2.9 vjet jetëgjatësi, ndërsa për latinët, zgjatet deri në tre vjet. Popullsia e bardhë ndërkohë, shënon një rënie prej 1.2 vjetësh.

Të dhënat e përkohshme tregojnë se jetëgjatësia në lindje, e cila mat shëndetin e vendit, ra nga 78.8 vjet në vitin 2019, në 77.3 vjet në vitin 2020. Tre të katërtat e kësaj rënieje i atribuohen vdekjeve nga Covid-19.

Autorja kryesore Elizabeth Arias, një shkencëtare shëndetësore në Qendrën Kombëtare të Statistikave të Shëndetit, tha se vdekshmëria ka tendencë të jetë mjaft e qëndrueshme nga viti në vit, prandaj viti 2020 ishte "shumë i pazakontë".

"Që nga viti 1943, ndryshimet në jetëgjatësinë çdo vit kanë qenë shumë të vogla", - tha Elizabeth Arias, autore e studimit në Qendrën Kombëtare të Statistikave të Shëndetit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga mesi i shekullit XX, jetëgjatësia është rritur vazhdimisht, me disa ulje vjetore të vogla, megjithëse shqetësuese, në vitet e fundit.

Por në vitin 2018, kishte një rritje të vogël, nga 78.6 në 78.7 vjet. E njëjta gjë ndodhi në vitin 2019. Pastaj erdhi koronavirusi. Shifra e vitit 2020 është më e ulta që nga viti 2003.

Ekspertët bien dakord që pandemia ka nxjerrë në pah ndryshimet midis popullatave të ndryshme. Sipas të dhënave, virusi ishte përgjegjës për 90 përqind të rënies së jetëgjatësisë midis latinëve, 68 përqind midis popullsisë së bardhë jo-hispanike dhe rreth 59 përqind midis popullsisë me ngjyrë jo-hispanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë