Futboll

Ulërima e famshme e Tardelit, imazhi i bonos prej 5 eurosh në Itali!

Nuk është ende e sigurt, nëse italianët do t’i shohin dhe se çfarë forme do të kenë, por prerjet e bonove të thesarit që aktualisht janë në qendër të debatit në vendin fqinj, kanë në mes edhe një detaj shumë familjar për të pasionuarit e futbollit dhe jo vetëm: ulërimën e famshme të Marko Tardelit. Mënyra e festimit të atij goli në finalen e Botërorit të 1982-shit, ku Italia fitoi 3-1 ndaj Gjermanisë, ka mbetur në mendjen e të gjithëve. Ajo foto e paharrueshme është zgjedhur mes imazheve për bonot e vogla të thesarit nga presidenti i komisionit të dhomës së bilanceve, Klaudio Borgi.

Ishte pikërisht Borgi ai që zbuloi në një televizion prerjen e 5 eurove me imazhin e ulërimës së Tardelit, që e kishte realizuar bashkë me ekspertin e marketingut, Klaudio Bota. Tardeli është vetëm njëri nga imazhet e zgjedhura për bonot nga 1 deri në 100 euro. Janë edhe personazhe të tjerë shumë të njohur në Itali si Oriana Falaçi, Enriko Matei, Xhovani Falkone e Paolo Borselino. Këto bono, sipas idesë së Borgit, do t’i shërbenin shtetit për të paguar borxhet e administratës publike ndaj privatëve dhe këta të fundit do t’i përdornin më pas për të paguar taksat. Një ide që është kritikuar jo pak, sidomos nga guvernatori i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, sipas të cilit do të ishte një monedhë shumë e rrezikshme alternative, ose një formë e re borxhi.

Prerja e bonos 5 euro me imazhin e Marko Tardelit, që feston golin ndaj Gjermanisë

Ai që e ka marrë me humor këtë histori është pikërisht Marko Tardeli, protagonisti i vetëm që jeton nga figurat e përzgjedhura si imazhe të bonove. Ish-mesfushori, kampion bote me Italinë, kur u bënë publike imazhet e bonove, foli me ironi në një intervistë për “Bild”. Gazeta e njohur shkruan se Gjermania, “viktimë” e Tardelit në finalen e 1982-shit në “Santiago Bernabeu”, e sheh vendosjen e imazhit të ulërimës së ish-mesfushorit si një sulm. “Me sa po kuptoj, – ka thënë Tardeli – gjermanët ma paskan ende frikën. Ndoshta është mirë të futem në politikë…” Në fakt, ai që duhet të ofendohej në këtë rast është Marko Tardeli, pasi ka përfunduar në një bono prej 5 eurosh.

 

Më Shumë