Komunitet

Ulen aplikimet për azil nga shqiptarët. BE po përballet me nivelin më të lartë që nga 2016-a

Gazeta Si – Gjatë nëntorit 2021, aplikimet për azil në vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar nivelin më të lartë të 6 viteve të fundit, por ato nga Shqipëria kanë pësuar rënie.

Nga shifrat e Agjencisë Europiane për Azilantët, EUAA, në nëntor, nga Shqipëria pati vetëm 1.121 aplikime, por kjo shifër është mbi mesataren vjetore që rezulton rreth 500-600 aplikime në muaj për vitin 2021.  Numrat janë përgjysmuar nga viti 2019.

Pavarësisht tendencës rënëse në tetor dhe nëntor, Shqipëria vijon të mbajë rekord në rajon për numrin e lartë të aplikimeve. Sipas EUAA, në nëntor, nga Maqedonia e Veriut kishte 1001 aplikime, Serbia 405, Bosnjë-Hercegovina 349, Mali i Zi 77, Kosova mbi 200.

Për të njëjtin muaj, në BE u depozituan 71.400 aplikime për azil nga vendet jashtë saj, pothuajse e njëjtë me atë të 2016-s, kur ndodhi ‘kriza e emigracionit’. Nga këto aplikime, rreth 9.000 ishin të përsëritura, të tjerat ishin të gjitha aplikime për herë të parë.

Grupi më i madh i aplikantëve ishin sirianë, 11.500, ndjekur nga irakenët me 4.300. Patën rritje aplikimet nga Venezuela, 3.300, Pakistani, 2.800 dhe Kolumbia 2.500.

Një numër i madh aplikimesh në BE, ishin nga të mitur të pashoqëruar, 3.200, që përbënin 5% të aplikantëve në tërësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë