Sociale

Ukrainsja shkoi për pushime, rasti i parë në Sarandë me Covid-19

Edhe pse situata e Covid-19 në Shqipëri është paraqitur e qëndrueshme, ditët e fundit kemi një rritje të numrit të të infektuarve. Sot është konfirmuar edhe rasti i parë me Covid-19 në Sarandë, zonë e cila ishte e paprekur deri më tani. E infektuara është një shtetase ukrahinase, e cila ka ardhur për pushime në Sarandë.

Prej 7 muajsh ishte vendosur në Tiranë, ndërsa ka deklaruar se në Sarandë ka apartamentin e saj dhe nuk ka pasur kontakte të tjera.

Mjekët dhe efektivët e policisë së Komisariatit Sarandë, po punojnë për gjurmimin e kontakteve të saj dhe rasteve të tjera të mundëshme.

Ndërkohë, katër raste të reja me Covid-19 janë regjistruar edhe në Lushnje. Qyteti i cili prej kohësh nuk shënonte raste të reja sot ka regjistruar 4.

Në fakt rastet nuk janë të brendshme por janë të ardhura nga Tirana, e cila është vatra kryesore e koronavirusit në Shqipëri.

Në zonat e prekura nga Covid-19 është futur sërish edhe Mati. Aktualisht janë shfaqur 6 raste të reja në Njësinë Administrative Rukaj në Bashkinë e Matit.

Mësohet se këta persona janë kontakt i të moshuarës që ndodhej në spital në Tiranë, e cila rezultoi pozitive 2 ditë më parë.

Nisur nga kjo, janë marrë ditën e djeshme 10 tamponë për analiza, nga të cilat 6 kanë rezultuar pozitivë. Të gjitha rastet janë pa shenja klinike dhe kanë marrë udhëzimet e nevojshme nga personeli shëndetësor.

Po ashtu, vazhdon hetimi epidemiologjik duke gjurmuar kontaktet e dy familjeve që janë infektuar me Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë