Bota

Ukraina, plani i paqes SHBA-Rusi ka 3 faza: armëpushim, zgjedhje dhe marrëveshje (me Europën?)

Gazeta Si – Ka përfunduar me nota optimiste samiti në Riad mes delegacioneve ruse dhe amerikane për marrëveshjet e paqes për Ukrainë.

Marrëveshja përfshin tre faza: armëpushimin, zgjedhjet e reja në vend dhe marrëveshjen përfundimtare. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha pas takimit që zgjati 4 orë: “Në një moment të caktuar edhe Evropa do të jetë e pranishme në tryezën e paqes”.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov, shtoi: “Ne duhet ta bëjmë Zelenskin të arsyetojë, duke mbajtur një shkop në duar”. Presidenti ukrainas, gjatë një vizite në Turqi, përgjigjet: “Ata flasin për paqen në Ukrainë pa Ukrainën”.

Plani i paqeska tre faza: armëpushimi, zgjedhjet në Ukrainë dhe një marrëveshje përfundimtare.

Media amerikane, Fos News me pikëpamje pro-presidentit Trump, citon burime diplomatike që thonë se Uashingtoni dhe Moska do të detyrojnë Ukrainën të mbajë zgjedhje presidenciale, si një faktor kyç për ecurinë e procesit të paqes.

Volodimir Zelenksit, ka rreth një vit që i ka mbaruar mandati presidencial, por qëndron në pushtet me ligjin e luftës të miratuar prej tij.

Sondazhet nuk flasin në favor të tij, ndërsa largimi i tij shihet si çelësi që Kievi të heqë dorë nga kushtet barrierë për paqen si rikthimi në kufijtë e 2014-ës dhe ambicia për anëtarësim në NATO. Një nga pikësynimet ruse është zëvendësimi i tij me një president jo-armiqësor me Moskën.

Sekretari Amerikan i Shtetit Marko Rubio citohet nga mediat të jetë shprehur pas mbylljes së takimit se ishte rënë dakord për krijimin e ekipeve të nivelit të lartë për bisedimet e paqes në Ukrainë, rikthimin e stafeve diplomatike në ambasadat e dy vendeve.

Rubio po ashtu hodhi poshtë zërat se BE dhe Ukraina janë përjashtuar nga ky proces, ndërsa tha se ky ishte vetëm fillimi i negociatave të cilat sipas tij vetëm Tramp mund t’i niste.

Edhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e konsideroi të frytshëm, takimin e parë dhe tha se i hap rrugën vazhdimit të procesit të paqes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë