Futboll

Ujkani për “Marca”: Humba gjysmën e familjes në luftë, t’i tregojmë botës traditat tona

Samir Ujkani (05.07.1988) lindi në Vushtrri. Shumë nga njerëzit që e panë atë të mbërrinte në këtë botë u zhdukën nga duart e trupave serbe në masakrën që mban emrin e atij qyteti në veri të Kosovës. Kjo ndodhi midis 2 dhe 3 majit 1999. Samir kishte qenë në Belgjikë për vite me radhë, sepse babai i tij ishte me fat, një engjëll mbrojtës i papritur që i paralajmëroi ata të iknin përpara se lufta e egër të shpërthente në këtë pjesë të Ballkanit.

Samir lindi në Kosovë, por u rrit në Belgjikë. Si ndërkombëtar e nisi me Shqipërinë dhe më 2014, kur FIFA e lejoi atë, ndryshoi fanellën, duke veshur atë kosovare. Para përballjes me Spanjën në Seville, portieri dhe kapiteni i Kosovës flet me “MARCA” për një histori në të cilën futbolli është i përzier me luftë, vdekje… dhe dëshirën për të shijuar faktin që sporti bashkon.

Pas çdo lojtari të Kosovës ka një histori të jashtëzakonshme- Unë kam lindur në Kosovë, e cila i përkiste Jugosllavisë. Në vitin 1994 kemi ikur për shkak të luftës. Arritëm në Belgjikë. Unë jam rritur atje dhe mund të zgjidhja të luaja për kombëtaren belge. Zgjodha të luaj për Shqipërinë, sepse familja ime është shqiptare e Kosovës dhe Kosova nuk ekzistonte si shtet. Kam luajtur 20 lojëra me “shqiponjat”. Por për mua, të luaja për vendin tim, ishte një ëndërr, kështu që kur Kosova u njoh si vend, menjëherë nisa procedurat për të ndryshuar ekipin. Isha i pari që e bëra këtë, edhe sikur të luaja vetëm miqësore.

Unë kisha humbur të afërm në luftë, kisha parë kaq shumë gjëra të dhimbshme. Kaq shumë njerëz vuanin për njohjen e vendit, saqë doja të ndihmoja për të dhënë një imazh pozitiv të Kosovës dhe njerëzve të saj. Ky është një nga objektivat e ekipit kombëtar, të brezit tone: t’i tregojmë botës mentalitetin tonë, traditat tona, se njerëzit e Kosovës janë mëndjehapur, të kujdesshëm…, njerëz të mirë. Dhe futbolli e ndihmon këtë. Kjo duhet të jetë trashëgimia jonë.

Lufta- Kam humbur dy xhaxhallarët dhe gratë e tyre, gruan e kushëririt tim me vajzën. Me pak fjalë, ato janë histori të vështira që ndodhin në luftëra. Ne humbëm gjithçka, sepse të gjitha shtëpitë e familjes sime në qytet u rrafshuan, u dogjën. Familja ime duhej të fillonte nga e para. Babai im ishte në gjendje të na çonte në Belgjikë, një vend të cilit i detyrohem shumë. Ne ishim njerëz pa shtëpi, pa punë, si shumë kosovarë të tjerë në Europë, por atje na ndihmuan shumë.

Para luftës e akuzuan babanë tim për diçka që kurrë nuk e bëri. Për fat të mirë ishte një gjykatës serb, një njeri i mirë që i tha: Arratisu, sepse ajo që vjen është lufta. Ne ishim aq me fat, që babai e dëgjoi. Një vit më vonë ndodhi ferri, por tashmë ishim në Belgjikë. Shumë të afërm nuk donin të largoheshin, sepse kjo do të thoshte të linin pas gjithçka për të cilën kishin luftuar në jetën e tyre: tokat, shtëpitë, familjet… Babai im tha që nuk i interesonte, se nuk do të rrezikonte gruan dhe djemtë e tij.

Ajo që duam është të argëtohemi duke luajtur futboll. Ne duam të luajmë futboll, të mos bëjmë luftë ose të pretendojmë ndonjë gjë. Duam të rritemi, që Kosova të përflitet për futbollin e mirë që luan. Duam të argëtohemi dhe nëse mund të fitojmë, sigurisht është edhe më mirë.

Çfarë do të thotë për Kosovën të luajë kundër Spanjës?- Një ndeshje historike kundër një fuqie botërore në futboll. Një nder. Ne kemi besim se do të lëmë një imazh të mirë nga kjo ndeshje.

Objektivat e Kosovës- Le të shohim. Për të bërë diçka kundër Spanjës, na duhet një mrekulli, sepse është favorite, pa dyshim. Qëllimi ynë është të ngjitemi sa më lart. Ky është mentaliteti ynë. Ne jemi një ekip në fillimet e veta, me pak përvojë, por pak nga pak lojtarët tanë po sistemohen në klube dhe kampionate më të mira. Niveli ynë është të luftojmë me Greqinë, jo me Spanjën. Duam të argëtohemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.

Futbolli pas dyerve të mbyllura- Është delikate, e di, por mezi po pres të kthehem të luaj me stadiumet plot. Publiku të jep gjithçka. Futbolli është një sport për njerëzit. Stadiumi ynë është i vogël, por njerëzit të japin diçka shtesë, diçka që nuk mund të matet. Shpresojmë që kjo pandemi të mbarojë së shpejti, kjo është gjëja më e rëndësishme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë