Futboll

Uejn Runi shpjegon problemin mes Pol Pogba dhe Mourinjos

Zhoze Mourinjo i ka dhënë lamtumirën Mançester Junajtid prej disa javësh, por polemikat vazhdojnë ende. Nga ikja e tij, në fakt, skuadra vetëm po fiton (7 fitore radhazi) dhe po ngjitet në tabelën e renditjes. Trajneri i ri, Ole Gunar Solskjaer, ka futur një frymë të re, por mbi të gjithë është pol Pogba ai që po i udhëheq “Djajtë e kuq” drejt suksesit.

Mesfushori francez nuk kishte raport të mirë me trajnerin portugez, ndaj dhe tani ka “shpërthyer”. Për t’i dhënë një shpjegim marrëdhënies së vështirë mes këtyre dy personazheve, ka menduar sulmuesi i njohur anglez, Uejn Runi, i cili me fanellën e Mançesterit ka luajtur shumë sezone. Runi ka folur për “ESPN” dhe ka dhënë shpjegimin pse Pogba, pas largimit të Mourinjos, duket një tjetër lojtar:

Runi, Pogba dhe Ibrahimoviç, kur luanin për Mançester Junajtid

“Unë e njoh mirë Polin, e kam parë që në kohën kur ishte pjesë e të rinjve. E kam parë të rritet vazhdimisht. Ka potencial të madh. Nëse nuk ke një raport të mirë me trajnerin, është shumë e vështirë të japësh më të mirën. Para së gjithash, kur di që trajneri kontrollon çdo vendim që t’i merr, çdo hap tëndin. Pogba duhet të lihet i lirë të luajë si të dojë, të bëjë pasime siç i mendon ai, ndonjëherë edhe të gabojë. Trajneri duhet ta lejojë të bëjë pasime, sepse dy ose tre prej tyre do të krijojnë patjetër raste goli. Kufizimi i Mourinjos ndaj lojës së Pogba mendoj se kanë qenë arsyeja e raportit të vështirë mes të dyve. Nëse një trajner dhe një lojtar me shumë ego takohen bashkë, nuk mund të kenë rezultate. Kjo gjë ka ndodhur me Pogba dhe Mourinjon”, - është shprehur futbollisti anglez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë