Kombetarja

UEFA ndryshon formatet e Ligës së Kombeve dhe eliminatoreve të Europianit e Botërorit

Gazeta Si - Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka marrë në mbledhjen e sotme, të zhvilluar në Nion, disa vendime të rëndësishme. Janë aprovuar disa formate të reja të kompeticioneve ndërkombëtare, që hyjnë në fuqi në shtator të 2024-ës.

Është vendosur të ndryshojnë formatet aktuale të Ligës së Kombeve dhe kualifikueseve të Europianit me qëllimin për një garë më të fortë dhe për më shumë të ardhura për federatat.

Liga e Kombeve, në formatin e saj të ri, zgjerohet me një raund të ri eliminator, që do luhet në mars, pra në mes të fazës së grupeve që përfundon në nëntor dhe finaleve që luhen në qershor. Fituesit dhe skuadrat e vendeve të dyta në grupet e Ligës A do të marrin pjesë në play-off për të përcaktuar pjesëmarrësit në Final Four.

Nga mbledhja e sotme e Komitetit Ekzekutiv te UEFA-s. Gazeta Si, 25 janar 2023

Skuadrat e treta të grupeve të Ligës A ndaj ekipeve të dyta në grupet e Ligës B, si dhe skuadrat e treta të Ligës B dhe vendet e dyta të Ligës C, do të luajë gjithashtu ndeshje play-off-i për ngjitjen dhe rënien.

Formati i ri i kualifikueseve për Europianin apo për Botërorin do jetë më i konsoliduar, me 12 grupe me nga 4 dhe 5 skuadra. Në grupet me 5 skuadra, fushata e eliminatoreve nis në mars, ose në qershor, nëse ato janë ende duke garuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve, apo janë përfshirë në ndeshjet e promovimit në një ligë më lart ose rënies në një ligë më poshtë.

Në grupet me 4 skuadra fushata e eliminatoreve nis në shtator. Fituesit e grupeve kualifikohen drejtpërdrejt në finalet e Europianit ose Botërorit. Skuadrat e vendit të 2-të ose kualifikohen direkt, ose marrin pjesë në play-off (bashkë me ekipet e Ligës së Kombeve për t’u kualifikuar në finalet e Europianit).

Nuk u propozua asnjë ndryshim për finalet e Europianit, ku do të vijojnë të marrin pjesë 24 ekipe. Ky format i ri i aprovuar ditën e sotme do të hyjë në fuqi pas Euro 2024.

Pjesë e Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s është edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Mbledhja e radhës do zhvillohet më 4 prill 2023, në Lisbonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë