Gazeta Si – Deri tani UEFA ka qendruar në heshtje, por nga Nioni po ndjek me vëmendje gjithçka po ndodh me Juventusin. Çështjet e bilanceve false dhe pagave nuk mund të kalojnë pa u analizuar nga organi që drejton futbollin europian, që nuk e sheh këtë rast si një hakmarrje.
Ceferin duket se ka në plan ta mbajë dorën ndaj klubit bardhezi, pasi armiku i madh i tij Anjeli është larguar. Por ai kërkon një pakt të heshtur: Juventusi duhet t’i thotë përgjithmonë lamtumirë projektit të Superligës, që e ka ndjekur bashkë me Real Madridin dhe Barcelonën.

Në pritje të sentencës së Trupës së drejtësisë së BE-së, e parashikuar për në mars, UEFA kërkon që klubi italian të heqë dorë publikisht nga Superliga.
Për çështjen e plusvalencave, nëse Federata konfirmon "dënimin", duket e vështirë që Juventusi të marrë pjesë në kupat europiane edhe nëse kualifikohet nëpërmjet kampionatit, Kupës së Italisë, apo ligës së Europës. UEFA do të ndiqte linjën italiane dhe do ta përjashtonte apriori.
Është edhe çështja e pagave, ku hyn në ‘fushë’ ‘Fair Play’ financiar. Nëse vërtetohet bilanci fals, akordi i mëparshëm do të anulohej dhe sanksionet rrezikojnë të jenë akoma më të rënda, me Juventusin jashtë kupave për më shumë se një sezon.
Për momentin gjithçka është e lidhur me sentencat, që nuk janë ende përfundimtare. Dënime të tjera të mundshme në Itali do të përktheheshin edhe në dënime ndërkombëtare. UEFA pret të rregullojë marrëdhëniet me Juventusin e ri, por me kushtin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.