Kombetarja

U thirr në kombëtare, Uzuni mezi e priste ftesën

Myrto Uzuni është talenti i radhës që shpërthen në kampionatin shqiptar, transferohet jashtë vendit dhe më pas thirret në kombëtare. 23-vjeçari nga Berati, për 2 vite ai ishte pjesë e Apolonisë në Kategorinë e Parë, fakt që e pengoi jo pak në ecurinë e karrierës së tij. Kur luante në Kategorinë e Parë, sulmuesi beratas ishte në lupën e ekipeve të kryeqytetit, Tirana dhe Partizani që nuk e morën dot.  Atë që nuk e bënë Partizani dhe Tirana, e bëri Laçi, që investoi te Uzuni dhe vetëm pas një viti, 23-vjeçari e ktheu shumëfish këtë investim. Te Laçi në Superiore sulmuesi beratas ishte një nga protagonistët kryesorë, që e çoi ekipin kurbinas deri në Kupat e Europës. Këto paraqitje shumë të mira, por edhe vullneti i madh për t’u rritur, bën që Uzuni të transferohej te Lokomotiva e Zagrebit. Në Kroaci edhe pse shkoi në orët e fundit të merkatos, ai u përshtat shumë mirë dhe ka bërë ndeshje pozitive, duke gjetur edhe rrugën e rrjetës. Falë kësaj forme, 23-vjeçari mori ftesën e skuadrës kuqezi për dy ndeshjet e tetorit.  

Për emocionet e ftesës në ekipin kuqezi, por edhe karrierën e tij në vijim, Myrto Uzuni dha një prononcim ekskluziv për Gazeta Si. Djaloshi beratas tregon se u lajmërua nga klubi i tij për ftesën që kishte mbërritur nga ekipi kombëtar i Shqipërisë. Pas këtij lajmi, kanë qenë të shumta urimet që i mbërritën nga miq dhe fansa që gjithmonë kishin pasur besim në talentin e tij.

“Lajmin ma dhanë drejtuesit e klubit, të cilët më uruan shumë. Urimet e para i kam marrë nga familja normalisht, por edhe shumë miq të tjerë. Unë dua t’i përshëndes të gjithë ata që më uruan. Për mua do të thotë shumë kjo ftesë, pasi ka qenë ëndrra ime të përfaqësoj atdheun tim. Dua ta bëj krenar kombin tim.”- shprehet Uzuni.

Më tej sulmuesi 23-vjeçar rrëfen se pas formës së mirë që kishte treguar në kohët e fundit e kishte pritur një ftesë nga kombëtarja shqiptare. “Jam shumë i lumtur për ftesën. Ftesa nuk besoj se do më  mungonte, pasi e dija që kur erdha këtu, se nëse do luaja mirë dhe do shënoja, ftesa do vinte vetë dhe ashtu ndodhi.”

Për çështjen e aktivizimit Uzuni tregohet diplomat: " atë e vendos trajneri. Unë jam profesionist do vazhdoj të punoj fortë dhe kur të më jepet mundësia do bëj më të mirën time.”

Në këtë pikë të karrierës së tij, ku brenda një viti nga Kategoria e Parë në Shqipëri kalon në Superligën Kroate dhe merr ftesën nga kombëtarja, Uzuni nuk kërkon të ndalet. Ai shprehet se do të vijojë të punojnë për të shkuar sa më larg dhe dëshiron të bëjë krenarë gjithë shqiptarët me performancat e tij.

Me formën e mirë fizike që disponon, Uzuni besohet se do të hidhet në fushë nga trajneri Panuçi në ndeshjen miqësore me Jordaninë. Më pas në varësi të formës në këtë ndeshje, do të shikohet nëse do mund të ketë minuta edhe në ndeshjen zyrtare me Izraelin, e vlefshme për Uefa Nations League.

https://www.youtube.com/watch?v=19kWEieUaiE
Video e disa golave dhe momenteve më të mira të Myrto Uzunit te Laçi

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë