Drejtësia

U riatdhesuan nga Siria, GJKKO kalon për gjykim dosjen për 9 gratë e xhihadistëve

Gazeta Si - SPAK ka kaluar për gjykim dosjen ndaj 23 personave të dyshuar si xhihadistë, mes tyre edhe të 9 grave të cilat kanë qenë në kampet në Siri, por janë riatdhesuar ndër vite.

Të pandehurat do të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar për akuzën e “pjesëmarrjes në organizatë terroriste” dhe për “pjesëmarrje në formacione luftarake në një konflikt të armatosur jashtë vendit”.

Për 14 të pandehurit meshkuj të kësaj dosjeje, të cilët janë të shpallur në kërkim, është vendosur pezullim i çështjes.

Gjatë seancës paraprake, të pranishme në gjykatë, gratë kanë mohuar akuzën për pjesëmarrje në konflikte ushtarake të huaja, duke deklaruar se kanë udhëtuar familjarisht dhe janë marre nga të afërmit apo bashkëshortët e tyre.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për shtetasit Shyqyri Kaca, Saimir Kaca, Enes Kaca, Ditar Bala, Bajram Sulaj, Fatbardh Taushani, Ali Balliu, Arbër Stafasani, Usejd Stafasani, Eltion Zani, Nertil Hysenllari, Ledio Mehmeti, Erion Luto dhe Erdet Korro, të cilët janë në masë sigurimi “arrest me burg”.

Ndërkohë, nëntë gra po hetohet nën masën “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit: Lavdie Kaca detyrim paraqitje, Entela Vladi detyrim paraqitje, Ruzhdie Balliu, Etleva Stafasani, Stela Stafasani, Klotilda Zani, Almira Kastrati, Floresha Rasha, Brunilda Koçollari.

Gjatë thirrjeve që organizata ISIS bënte për bashkim në këtë organizatë, këta shtetas shqiptare kanë udhëtuar nga Shqipëria në Siri duke iu përgjigjur thirrjes. Fillimisht kanë udhëtuar vetëm burrat të rekrutuar dhe të nxitur në Shqipëri dhe më pas atyre iu janë bashkuar gratë dhe fëmijët. Për një pjesë të të pandehurve është provuar edhe se kanë kryer veprime luftarake në mbështetje të organizatës duke qenë luftëtarë dhe janë paguar për këtë.

Ndërsa gratë iu janë bashkuar bashkëshortëve me vullnet të lirë duke marrë me vete edhe fëmijët, duke iu shërbyer bashkëshortëve pavarësisht mundësisë që kanë pasur në fillim për t’u kthyer.

Sipas SPAK, ato kanë përfituar ndihma në formën e pagesës, një pjesë e tyre janë rimartuar pas vdekjes së bashkëshortëve, kanë kontribuar në rritjen e popullsisë së organizatës (pjesë e ideologjisë së organizatës) dhe kanë indoktrinuar e edukuar fëmijët me ideologjinë e organizatës.

Një pjesë e grave janë kthyer nga Siria në vitet 2020-2021, ndërsa disa të tjera vazhdojnë të qëndrojnë në kampe, në pritje të riatdhesimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë