Lajme

U qëllua me plumb, ndërron jetë i riu. Policia: E vranë djemtë e pronarit të vilës ku punonte

Ka ndërruar jetë i riu 26-vjeçar që u qëllua dje me armë zjarri në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet.
Mësohet se Indrit Çelaj ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku dje u transportua në gjendje kome.
Indrit Çelaj ishte nga Mallakastra, me profesion teknik kondicioneri, montimesh, riparimesh e aspirimesh të ambienteve. Ai ishte duke kryer punime për kondicionimin e vilës në pronësi të shtetasit Bujar Kusi, që ndodhet pranë një blloku pallatesh mes rrugës “Myslym Shyri” dhe rrugës “Muhamet Gjollesha”.

Policia: U vra nga djemtë e pronarit të vilës

Ndërkohë, policia ka arritur të zbardhë ngjarjen në fjalë, ku humbi jetën 26-vjeçari.
Janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dy vëllezër, djemtë e pronarit të vilës, si autorë të dyshuar të ngjarjes.
Policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, 4 shtetas, mes tyre edhe pronari i vilës.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se në ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, shtetasi G. K, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. K, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin Indrit Çelaj, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, ka plagosur rëndë me armë zjarrin shtetasin Indrit Çelaj, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
Edmond Sula, 43 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ferdinant Bakalli, 41 vjeç, Bujar Kusi., 54 vjeç dhe Luan Çaka, 36 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se kanë qenë prezent në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar organet kompetente sipas detyrimit ligjor.
Vijon puna për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.
Po nga veprimet hetimore, rezultoi se këta shtetas kanë biseduar me shtetasin L. V, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të kryera, shtetasi L. V., 27 vjeç banues në Tiranë, gjatë orëve të vona të natës është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Materialet do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë