Ka ndodhur

U prangos për vrasjen e Endri Mustafës, lihet në burg vetëm për kanabisin

Një nga personat e dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Endri Mustafës, duket se do të gjykohet vetëm për sasinë e drogës të sekuestruar pas kontrollit në një magazinë pranë banesës së tij.

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për Edison Arrazin për 280 gramë kanabis që dyshohet se i përket atij.

Mësohet se 26-vjeçari nuk është pyetur fare nga gjykata për vrasjen e Endri Mustafës. Ndërkohë që në njoftimin e policisë pak ditë më parë, Arrazi ishte prangosur si person që dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe vëllai i të arrestuarit, duke hedhur poshtë si akuzën për përfshirjen në vrasjen e Endri Mustafës, por edhe atë të posedimit të drogës.

"Droga është gjetur në një magazinë larg shtëpisë tonë. Vëllai im nuk ka lidhje fare me vrasjen dhe këtë e vërteton policia e shtetit që e dyshon vetëm për drogë. Vëllai në momentin e vrasjes ka qenë në shtëpi duke fjetur gjumë", - tha ai jashtë dyerve të gjykatës.

Për vrasjen e Mustafës në zonën e Livadheve në Shkodër, aktualisht është në burg 15-vjeçari me iniciale E.M., i cili është arrestuar si bashkëpunëtor i vrasësve dhe që dyshohet si personi që ka nxjerrë viktimën nga shtëpia.

Endri Mustafa u gjet i vdekur me 6 plumba në trup më 17 maj, në zonë e Livadheve të Shkodrës. Si autor të dyshuar të ngjarjes policia ka shpallur në kërkim Ibrahim Liçin, ndërsa është arrestuar 15-vjeçari E.M., i akuzuar si bashkëpunëtor i tij.

Një ditë pas vrasjes, bashkëshortja e viktimës, ka mohuar që vrasja e të shoqit të jetë bërë nga fisi i Liçajve dhe Bajrave, të cilët janë në konflikt disa vjeçar mes tyre.

Ndërkohë, edhe Mustafa Liçi, babai i 28-vjeçarit Ibrahim Liçi, tha se autori i ngjarjes nuk është djali i tij, duke folur për një skemë të ngritur nga policia.

Sipas tij, janë Bajrajt dhe Astmer Bilali, ata që kanë përdorur 15-vjeçarin me qëllim që të thotë se krimin e ka kryer në bashkëpunim me Ibrahim Liçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë