Ngjarje

U plagos në Tiranë nga një plumb qorr, pas 3 ditësh te Trauma italiania niset me helikopter në Bari

Mjekët shqiptarë ende nuk ia kanë hequr plumbin pasi kanë preferuar ndërhyrjen e kolegëve të tyre italianë. Por riatdhesimi kërkon një fluturim të veçantë shpëtimi me helikopter dhe për rrjedhojë autorizime të veçanta

Gazeta Si - Agata Carbonara, 52-vjeçarja nga Triggiano, e cila mbeti e plagosur rëndë natën e Vitit të Ri, e goditur nga një plumb qorr teksa ndodhej me familjen e saj, duke shëtitur në Bulevardin “Zogu i Parë” në  në Tiranë, është kthyer në Itali këtë të enjte pas 3 ditësh e shtruar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Spitali i Traumës ku ajo po merrte mjekim që prej 1 janarit, njoftoi se turistja italiane ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe e stabilizuar.

“Ajo është e vetëdijshme dhe jeta e saj nuk është në rrezik”, shpjegon Vito Leonardo Candeloro, avokati i familjes.

Megjithatë, gjendja e saj paraqitet kritike raportojnë mediat italiane. Plumbi qorr e goditi atë në zonën midis veshit dhe fytit dhe i shpoi mushkëritë, duke i mbetur në gjoks.

Një situatë e bërë edhe më tragjike nga vështirësitë burokratike që përjetoi familja e 52-vjeçares për të lejuar kthimin e saj në Itali, e cila ka nevojë të kryejë një operacion delikat.

Mjekët shqiptarë ende nuk ia kanë hequr plumbin, pasi kanë preferuar ndërhyrjen e kolegëve të tyre italianë.

Por riatdhesimi kërkonte një fluturim të veçantë evakuimi shëndetësor me helikopter dhe për rrjedhojë autorizime të veçanta, gjë që u mbyll këtë të enjte.

Nëpërmjet avokatit Candeloro, familja e gruas kishte nisur një apel pranë institucioneve për të përshpejtuar procedurat për kthimin e saj.

Fëmijët e saj, thanë për mediat italiane: “Ajo që po përjetojmë është surreale. Këto ditë, përveçse luftojmë për jetën e tij, ne jemi të detyruar të përballemi me një burokraci që pengon riatdhesimin e tij adekuat".

Agata, e cila punon në kompaninë e bashkëshortit të saj, ishte duke ecur e qetë në sheshin e Tiranës me familjen e saj kur u godit nga një plumb qorr.

Autoritetet shqiptare nuk e kanë identifikuar ende personin që ka qëlluar me armë zjarri, ndonëse dyshimet fokusohen tek një burrë që banon pranë Bulevardit "Zogu i Parë".

Agata thuhet se nuk ka marrë ndihmë të menjëhershme dhe familjarët flasin për praninë e dy patrullave të policisë në vendin e plagosjes dhe për një vonesë të pretenduar të oficerëve në dhënien e ndihmës.

Presidenti i rajonit të Puglia-s, Michele Emiliano ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshortin e 52-vjeçares për riatdhesimin e saj në Itali.

“Ne po e ndjekim rastin dhe jemi të gatshëm ta mbështesim këtë familje që po përjeton orë të tëra ankthi dhe vështirësie, duke aktivizuar padyshim të gjitha sinergjitë institucionale sipas procedurave të vendosura për raste të tilla”.

Ndërkohë drejtori i departamentit të promovimit shëndetësor në Puljia, Vito Montanaro, njoftoi koordinimin e urgjencës shëndetësore 118 dhe Poliklinikën e Barit, e cila tashmë ka kontaktuar me objektin spitalor shqiptar.

Një helikopter shëndetësor zbarkoi drejt Tiranës me një ekip mjekësor nga ambulanca ajrore e Foggia-s, e cila do të kujdeset për pacienten që prej transportit të saj në Bari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë