Kosova

U ndalua në Serbi, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Nga Gazeta 'Si'- Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, është liruar nga autoritetet serbe njoftoi të enjten vonë(18 prill) Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).

Jankoviç ishte ndaluar më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës - që lidh Kosovën me Serbinë dhe akuzohej për prishje të rendit kushtetues të Serbisë, sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës në Facebook.

Ministria kosovare tha se do të dalë më hollësi të tjera rreth këtij rasti më vonë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha pas lirimit të Jankoviçit të enjten vonë se ai "ishte ndaluar për dy ditë me radhë arbitrarisht dhe është marrë në pyetje nga organet e Serbisë".

Ndalimi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është bërë “me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe kontrolleve të nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë”.

Sipas autoriteteve kosovare, Jankoviç ishte në mesin e 10 zyrtarëve kosovarë që u ndaluan nga autoritetet serbe më 17 prill. Të gjithë prej tyre janë liruar tashmë.

Lirimi i tij vjen pak orë pasi Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë që pret lirimin e menjëhershëm të Jankoviçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë