Rend dhe Ligj

U konfirmua në detyrë, ONM kundër vendimit për kryeprokuroren e Durrësit

Ndërkombëtarët dalin kundër vendimit të KPK-së për të cilësuar si të “pastër” kryeprokuroren e Durrësit, Anita Jella.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të Drejtueses  së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës, Anita Jella. Bëhet e ditur se rekomandimi për ankimimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është bërë për të tria kriteret e rivlerësimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në një njoftim bëhet e ditur se Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në dhjetor të vitit të kaluar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella, por e dërgoi atë për procedim disiplinorë dhe kërkoi që problemet në dy dosje, përfshi atë për hetime në Kadastrën e Durrësit të merreshin parasysh në vlerësimin profesional vjetor. Procesi i vetingut për Jellën u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Etleda Çiftja. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs. Jella, e cila iu nënshtrua rivlerësimit për të tre kriteret, u pyet gjerësisht gjatë seancës dëgjimore nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs në lidhje me qëndrimet e saj si drejtuese në dy dosjet. Prokurorja tha se në rastin e parë ajo nuk kishte pasur asnjë mundësi për të ndikuar prokurorin, ndërsa shpjegoi se ndërhyrja e saj në rastin e dytë, që nuk ishte marrë parasysh nga prokurori i çështjes, kishte të bënte me faktin se paralelisht po zhvillohej një hetim proaktiv nga një prokuror tjetër.

Vendimet e KPK për nisje procedimesh disiplinore kanë mbetur pezull, për shkak se ende nuk është ngritur Inspektori i lartë i Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë