Gazeta Si – Ish-punonjësi i policisë së RENEA-s, Remal Rada është dënuar me 7.9 vite burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u kap me një pushkë snajper në makinë të cilët e posedonte pa leje.
Gjykata e Tiranës, po ashtu dënoi me 5 vite burg Elton Hidhin, i akuzuar si bashkëpunëtor i efektivit, me të cilin udhëtonte me të njëjtin mjet gjatë arrestimit korrikun e vitit të kaluar.
Brenda mjetit që drejtohej nga Rada u gjet një snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi si ato të policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.
Kontrollet pasuan me banesat e tyre dhe u gjetën një pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak.
Ndaj tyre është aplikuar gjykim i shkurtuar dhe kanë përfituar ulje të dënimit me 1/3-ën.
Dy personat në fjalë u kapën me snajper vitin e kaluar tek rrethrrotullimi i Saukut në Tiranë.
Rada dhe Hithi u akuzuan nga Prokuroria për “armëmbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “mbajtje pa leje të armeve të ftohta”, “mbajtje pa leje e uniformave dhe mjeteve policore”.
Më pas gjatë kontrollit të banesave atyre iu gjetën dhe armë të tjera.
Por ndërsa efektivi ka pretenduar se nuk ka qenë në dijeni të sendeve te sekuestruara në makinë, i arrestuari tjetër Elton Hithi ka pasur një tjetër alibi për ngjarjen.
Ai ka pretenduar se e ka telefonuar një person i panjohur në emër të një të njohurit të tij në Angli dhe i ka thënë të shkonte te merrte një pako në Sauk.
Pasi ka shkuar me Radën e ka marrë pakon dhe e ka vënë në makinë.
Pak metra më poshtë i ka ndalur policia. Ai ka pretenduar se e ka në telefon kontaktin e personit me të cilin ka folur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.