Sociale

Shkoi të kërkojë asistencë shtesë, 48-vjeçarja vdes në zyrat e Bashkisë së Lushnjës: Nuk pati asnjë debat

Gazeta Si - Shpresa Cani, banuese në Fiershegan, ka ndërruar jetë në ambientet e Bashkisë së Lushnjës, pasi kishte shkuar për të kërkuar ndihmë ekonomike shtesë për veten e saj dhe për babain, me të cilin jetonte në një shtëpi.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë dhe vetëm këtë të premte, Policia e Lushnjës ka reaguar me vonesë pas 24 orësh, duke njoftuar se 48-vjeçarja ndërroi jetë për shkaqe natyrale.

Sipas njoftimit për mediat, thuhet: “U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 60 vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën nga shkaqe natyrale".

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, ajo është paraqitur në zyrën e informacionit, e më pas u drejtua në zyrën e gjendjes sociale.

Sipas të njëjtave burime, viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre, duke kërkuar ndihmë shtesë për përkrahje sociale.

Por sipas Bashkisë së Lushnjës, mes 48-vjeçares dhe përfaqësuesve së bashkisë nuk ka pasur asnjë debat dhe Canit "nuk i është ndërprerë ndihma ekonomike, por ajo trajtohet me KEMP, një pagesë prej 11.915 lekë në muaj", - thotë bashkia, teksa jep versionin e saj të ngjarjes.

Pasi dëgjoi shqetësimin e saj, thuhet më tej në reagim, kryebashkiakja Sefa thirri Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë Bashkisë Lushnjë për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës së invaliditetit.

Sipas Bashkisë së Lushnjës, pati një dakortësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, por në një moment 48-vjeçarja është ndjerë keq.

Mësohet se 48-vjeçarja, e cila jetonte me vëllain, kunatën dhe babain e saj, i cili është invalid, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit.

Megjithatë, pritet të dalë ekspertiza mjeko-ligjore. Shpresa Cani u varros këtë të enjte në orën 11:00, në varrezat e fshatit Thanë në Lushnjë.

Edhe familjarët e Canit pohojnë se e afërmja e tyre kishte shkuar për të bërë letrat e Kemp-it, sepse vuante nga drepanocitoza, një sëmundje gjaku.

"Erdha mbrëmë tek shtëpia këtu, më thanë Shpresës i ka rënë infarkt. Në Bashki kishte vajtur për të bërë letrat (për ndihmë ekonomike). Atje kishte rënë te dera”, rrëfeu tezja e 48-vjeçares.

“U nis me këmbët e veta dhe erdhi me arkivol. Te bashkia kishte vajtur për të bërë letrat e Kempit. Atje ra, mbaroi. Ishte anemike, ishte e sëmurë prej vitesh. Merrte gjak prej vitesh”, rrëfen më tej tezja e saj. Iku, bëri punët këtu, lau, shpëlau. Kur thanë iku vdiq atje, ne u habitëm. Vdekje e papritur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë