Libra

“Tutori” jo i lehtë i Mimoza Ahmetit

Kjo do të qe historia më rrëqethëse e jetës. I gjithë pikëllimi nuk është për atë që ngjau, por përse jeta ime duhej të kishte qoftë edhe një ngjarje?
Bëra çmos të mos futesha në hullinë njerëzore të historive, por më pas u ngushëllova se, së paku, ky rrëfim do të qe diçka më vete. Megjithëse them rrëfim, ngjarja degradoi vërtet në një antirrëfim, në një subjekt antihistorik. Por, edhe pse antihistorik, nuk mund të mos qe i irrituar, d.m.th histerik, dhe tani vij në përfundimin se gjithë histeria njerëzore nuk është veçse një thirrje e pandërgjegjshme e psikikës për të shpëtuar nga historia. E ku mund të gjesh një perfeksion pa tërheqje? Po edhe sikur, siç bëra unë, me një perfeksion natyral, pa kurrfarë tërheqjeje, i pafalshëm mbetet tentimi…”. Kështu nis “Tutori”, romani më i ri i poetes dhe shkrimtares Mimoza Ahmeti, një rrëfim poetik i individit dhe i përpjekjes së tij të përhershme për ta gjetur zgjedhjen tek dashuria.

Ky libër, ky roman është i tëri perceptim, ku nuk dallon dot midis personazheve të kulturës, personazheve të jetës, personazheve të dëshirës…

Libri i botuar nga “Mapo Editions” vjen me parathënie nga kritiku dhe studiuesi Aurel Plasari, i cili evidenton se “Tutori nuk do të jetë roman që lexohet si të lehtët”.
“Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te Tutori ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”. Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni tek realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores”, shkruan Plasari.


Në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm. Në raportin e saj me dy burrave - të dashurit imagjinar dhe atij real - ajo zbulon, një nga një, botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore. “Do ta quaja dhe një libër politik, pasi në thelb kemi një individ produkt të këtij kaosi social e politik që jetojmë”, do të shprehej drejtoresha e botimeve “UET PRess”, Alda Bardhyli. Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret. “Mimoza Ahmeti është polivalente dhe nganjëherë qortimi bën vlerë më shumë se sa lëvdata. Poezia e saj do të mbahet mend në mozaikun e letërsisë shqipe”, u shpreh Aliçka.


“Të bashkohemi që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme” -Mimoza Ahmeti 


Vetë Ahmeti do të shprehej se ky libër fillon në vitin ’94 dhe mbaron në vitin 2017 dhe mbetet një çlirim shpirtëror . "Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione. Ky libër, ky roman është i tëri perceptim, ku nuk dallon dot midis personazheve të kulturës, personazheve të jetës, personazheve të dëshirës… pra është një miks i virtualitetit ku jeton truri dhe e ka të vështirë që në realitet të bëjë dallimin e reales nga jo realja.” Autorja shpreson se pikërisht kjo poetikë do i japë romanit jetëgjatësi. “Romanet tona janë romane të cilat horizontojnë sistemin dhe shkojnë krah për krah tij me disa diskurse të vogla subjektive”. Duket se libri i saj kalon të njëjtin tranzicion me shoqërinë, të cilin Ahmeti e quan “tranzicion që nuk merr fund dhe që ka lënë pasojë në shpirtrat tanë.” Në fund të fjalës së saj, gjatë përurimit të librit, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, Ahmeti uroi si në një himn, të ngjashëm me këngën “Imagine” të John Lennon, “të bashkohemi që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë