Futboll

Turqia shpall listën anti-Shqipëri, Gynesh të gjithë ‘yjet’ me vete

Në prag të fillimit në eliminatoreve për kampionatin europian, skuadra përfaqësuese e Turqisë ka shpallur listën e futbollistëve që do të jenë të grumbulluar për dy ndeshjet e para, me Shqipërinë dhe Andorrën. Në listën e bërë publike nga Federata Turke e Futbollit nuk ka mungesa të rëndësishme të futbollistëve të mëdhenj që luajnë në kampionatet më të rëndësishme europiane.

Trajneri i sapo emëruar në krye të kombëtares turke, Shenol Gynesh nuk ka mbajtur asnjë rezervë për këto dy takime edhe pse nuk janë më të fortat, por do të jenë shumë vendimtare për fatin e ekipit të dytë në grup. Hakan Çalhanoglu, Yonus apo edhe Tosun i Evertonit nuk kanë munguar në këtë grumbullim dhe pritet që më shumë gjasë të jenë pjesë e formacionit turk që do të zbresë në fushën e lojës në sfidën kundër Shqipërisë në “Loro Boriçi”.

Ajo që bie në sy në këtë grumbullim të Gynesh është numri i vogël i sulmuesve. Do të jenë vetëm Tosun dhe veterani Burak Yilmaz që do të duelojnë për një fanellë titullari në këto dy ndeshje. Por Burak nuk do të jetë veterani i vetëm në këtë listë të Turqisë, pasi Gynesh ka thirrur dy anëtarë të tjerë të gardës së vjetër të Turqisë, si Emre Belozoglu dhe Mehmet Topal. 38-vjeçari, Emre që ka luajtur në disa ekipe të mëdha në Europë dhe tashmë aktivizohet te Sivaspor në Superligën turke. Mungesa e madhe në këtë listë të kombëtares me Turqinë është Arda Turan, i cili prej disa kohësh është jashtë formës së tij më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë